Esat Mala është kthyer në një lider te Vllaznia. Prezenca dhe performancat fantastike të Bekim Balajt marrin vëmendjen kryesore, por ajo që shtatshkurtri sjell në skuadër është për t’u duartrokitur.

Mala është i vetmi lojtar i repartit ofensiv që ka luajtur të gjitha ndeshjet si titullar krah kapitenit Balaj dhe këto janë përkthyer edhe në produkt. 2 gola e 2 asiste numëron 25-vjeçari i cili ka luajtur edhe në krah të sulmit, por edhe në mesin e fushës.

Kontrata e tij me shkodranët skadon në fund të sezonit dhe sigurisht, një futbollist i tillë ngjall interes për këdo. Por, është vetë drejtori i Partizanit, Olsi Rama i cili i ‘shkeli syrin’ në emisionin ‘Rubrika Sportive’ ku po fliste rreth situatës së Vllaznisë e nuk la pa përmendur ish-lojtarin që dikur e ka patur në ekip.

“Te Vllaznia kemi edhe një lojtar si Esat Mala që është rritur me mua”, tha Rama ndër të tjera.

Mala u njoh me futbollin shqiptar falë Olsi Ramës i cili e solli te Partizani 4 vite më parë, skuadër me të cilën regjistroi plot 157 paraqitje, 14 gola e 18 asiste që ndihmuan në fitimin e 1 titulli kampion nën urdhërat e Skënder Gegës.