Një ndër klubet më kritike nga Federatës Shqiptare të Futbollit dhe më aktivet për sa i përket krijimit të Ligës Profesioniste këto vitet e fundit ka qenë Partizani.

Klubi i kuq përfaqësohej nga drejtori i përgjithshëm Olsi Rama në mbledhjen e sotme në FSHF dhe duket se gjithçka ka shkuar mbarë, pasi edhe Partizani është i kënaqur me zhvillimet e fundit.

“Nuk patëm ndonjë vështirësi, ne kishim sjellë disa mendime në projektin e paraqitur, të cilat u diskutuan dhe u panë me vëmendje, pasi gjithçka duhet të bëhet konform dispozitave të rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s. Liga do të jetë një shoqatë që do të anëtarësohet në Federatë dhe të gjitha, duke nisur nga statuti dhe akti i themelimit duhet të jenë konform rregullores së UEFA-s, pasi ne nuk mund të bëjmë gjëra ndryshe nga se janë rregulloret që më pas mos të pranohen nga instancat më të larta. U gjet një gjuhë e përbashkët, për të pasur një organizim sa më efecient në të ardhmen”, deklaroi pas mbledhjes Rama.

Zgjedhja e zëvendëspresidentit të FSHF-së, Libohova, si president Lige, ka një logjikë të thjeshtë, sipas Ramës: “Në statut ishte parashikuar që të mos ketë persona nga klubet, për arsye se në situatën ku ne jetojmë mund të krijonte një ngërç në raportet me klubet e tjera. Duke qenë se është një person që e njeh futbollin, ishte propozimi më i natyrshëm për të filluar këtë punë”.

Rama foli edhe për propozimet e Partizanit: “Në përgjithësi kishin të bënin me garantimin e një dige që do të funksiononte në mënyrë sa më të pavarur nga FSHF, duke marrë parasysh ato kanale që i lidhin në mënyrë organike me Federatën. Është komisioni i arbitrave, i cili sipas propozimeve që u bë do të ketë input nga Liga dhe nga disenjatori që do të caktohet.

Shoqata e arbitrave është e pavarur. Arbitrat duhet të çertifikohen, duhet të kalojnë të gjitha kategoritë që ju të gjithë i dini. Ideja është që Liga të ketë disenjatorin e vet, i cili do të caktojë gjyqtarët për ndeshjet e Ligës”.

Të ardhurat, temë delikate: “Një nga elementët kryesor të organizimit të Ligës është ideja për të marrë të drejtën komerciale dhe një prej tyre është e drejta televizive. Është shumë e rëndësishme që të marrë një emër dhe jo vetëm Superliga. Të ketë një sponsor gjeneral, çka do të ndihmonte në arkën e çdo ekipi.

E drejta televizive është e firmosur nga Federata dhe do të transferohet, ende nuk e di se ku juridikisht dhe kush mund të jenë kompetencat e Ligës për ta diskutuar”./telesport/