Derbi i kryeqytetit vazhdon të mbetet në foksusin e emisioneve sportive në vendin tonë. Partizani – Tirana nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0 mes tyre në “Air Albania”. Në sfidë e cila fatkeqëisht nuk ngjalli shumë mbështetjen e tifozëve.
Këto të fundit si asnjëherë më parë në vitet e fundit nuk mbushën shkallët e stadiumit. Por pavarësisht kësaj, koret e tifozëve dëgjohesh në “Air Albania”, ndërsa nuk munguan as sharjet nga ultrasit e 2 ekipeve.
Në lidhje me këtë ka folur drejtori sportiv i Partizanit në “Rubrikën Sportive” në RTSH. Olsi Rama “dënon” sharjet e tifozëve në stadium, ndërsa nënvizon se duhen të merren masa, pasi tifozët duhet të jenë për të mbështetur ekipin dhe për ta kthyer derbin në një festë.
“Unë pretendoj që në momentin që stadiumi do të shajë në kor, ndeshja të ndërpritet. Nëqoftëse e quajmë sportin një pjesë të rëndësishme të edukimit të atyre njerëzve që shikojnë sport, nuk dua të tingëllojë keq këtu…, por nuk mund të tolerojmë në një ndeshje derbi. Është derbi i parë ku tifozeritë e të dyja palëve më shumë kanë sharë se sa e kanë mbështetur ekipin.
Mua kjo nuk më duket aspak e drejtë dhe nuk më vjen aspak mirë që të ftoj një djalë të ri ose vajzë dhe të dëgjosh ato kore tifozësh që shkojnë për të mbështetur skuadrën. Kanë inatin me njëri-tjetrin dhe në vend që të mbështesin skuadrën e tyre ofendojnë skuadrën tjetër. Kjo nuk është e drejtë dhe mendoj që duhet të ketë një qëndrim shumë rigoroz nga organet dhe Federata, ose nga Liga e Futbollit.
Nuk është çështja e edukimit, por janë dy gjëra të ndryshme. Nëse kërkon respektin dhe “Fair – Play” nga lojtarët në fushë, duhet ta kërkosh edhe nga publiku që të krijohet një atmosferë feste. Derbi është një festë, derbi është një spektakël. Partizani vjen nga një ndeshje në Laç, ku çdo gjë mund të quhet, por sjellja e tifozëve të Laçit, nuk ishte aspak sportive. Sende të hedhura në fushë, përveç sharjeve që dëgjohen fatkeqësisht edhe në televizion. Kjo ështyë shumë e rëndësishme dhe ta fillojmë nga gjërat që bëhen më thjeshtë”, ka deklaruar Rama.