Lorenc Jemini ka analizuar shkurtimisht penalltinë e pretenduar nga Tirana për rastin kur Edon Hasani pengohet në zonë nga futbollisti i Partizanit, Boldor. Për ish-arbitrin e Superiores nuk ishte 11-metërsh.

Madje ai e vlerësoi me nota të larta gjyqtarin Kridens Meta. Sipas Jemini, duke marrë parasysh standartin që vendosi kryesori në atë takim, edhe ai faull nuk mund të jepej.

“Për mua s’është penallti. Gjyqtari Kridens Meta vuri një standart në atë derbi dhe të tilla ndërhyrje nuk u konsideruan faulla për gjatë gjithë lojës. Nëse do të merreshin një nga një i bie që të përfundonte takimi me 8 vetë.

Por, në derbi kështu gjykohet. Pra Meta iu bazua standartit që vendosi vetë dhe lojtarët e dinë se deri ku është limiti i ndërhyrjeve të tyre“.

Por, në atë moment i pranishëm në panelin e Procesit Sportiv, ishte drejtori i Partizanit Olsi Rama. Ky i fundit u shpreh kundër asaj që deklaroi Jemini teksa iu drejtua: “S’jam dakord me këtë që thoni ju. Nuk janë arbitrat ata që i vendosin standartet.

FSHF-ja ka hartuar disa rregulla dhe gjyqtari në fushë duhet të bazohet vetëm në atë rregullore. Pra, nëse është faull brenda apo jashtë zone duhet akorduar si i tillë“, përfundoi Rama./newsport/