Në konferencën e zakonshme për shtyp, te Partizani nuk është shfaqur ndihmës-trajneri Klevis Dalipi, por Drejtori Sportiv i klubit, Olsi Rama.

Ky i fundit ka kërkuar mirëkuptimin për mungesën e Dalipit dhe daljen e tij para gazetarëve, ndërsa ka shprehur gjithë indinjatën e tij, në lidhje me pezullimin e dy mesfushorëve të Partizanit, nga ana e Komisionit të Disiplinës.

“Sot kam ardhur unë këtu, pasi Dalipi është shumë i zënë, sepse i duhet të shpikë diçka për ndeshjen me Kukësin, duke pasur parasysh se Komisioni I Disiplinës na pezulloi dy mesfushorët tanë.

Nuk kam një kapele magjistari t’ia jap trajnerit, ndaj le t’i japim minimalisht kohë, që të punojë për të sajuar diçka”, tha Drejtori Sportiv i skuadrës së Partizanit, në nisje të konferencës për shtyp.

Dënimi i ardhur në prag të dy ndeshjeve më të rëndësishme të Partizanit, sa i përket kampionatit, ato ndaj Kukësit dhe Skënderbeut, duket se nuk është kapërdirë aspak nga të kuqtë.

“Nuk i kuptoj shkaqet dhe arsyet e këtij dënimi, që për më tepër, publikohet vetëm 2 ditë para ndeshjes.

Nga komunikimi i shkurtër na thanë se bëhet fjalë me një episode pas ndeshjes, ndërkohë që ne na kanë ndodhur plot episode të tilla dhe i kemi anashkaluar.

E them në mënyrë të hapur që Partizani ka mbajtur deri tani një qëndrim shumë korrekt pavarësisht pasojave që ka vuajtur. Ky është një kompeticion sportiv në të cilin harxhohet një shumë e konsiderueshme lekësh.

Është një dëm ekonomik që i bëhet klubit në të gjitha drejtimet. Një situatë e disfavorshme për futbollin shqiptar duke pasur parasysh raportin e 2 inspektorëve të UEFA-s në lidhje me Skënderbeun.

Ne përballemi me një realitet që përsëri tenton të falsifikojë kampionatin. Jemi një klub që respektojmë të gjitha standarde.

Jemi një klub që jemi interesuar më shumë se kurrë për disiplinën, qoftë brenda klubit apo edhe në fushë”, u shpreh Olsi Rama.