Një nga emrat më të mëdhenj të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare është padyshim ai i Oltion Lulit. Sprinteri shkodran ka arritur të shkruajë emrin e tij me gërma të arta, falë rezultateve shumë të larta sportive që ka arritur gjatë karrierës së tij sportive.

Ka lindur në Shkodër më 18 gusht 1969 dhe zgjedh të merret me atletikë, duke mos u penduar asnjëherë për zgjedhjen e tij sepse e konfirmoi si një kampion dhe rekordmen të Shqipërisë.

Rekordi i tij në garën e 200 metrave i vendosur në Luksemburg në vitin 1998, mbeti në fuqi deri para një muaji kur një shkodran tjetër- Franko Burraj, ia theu në garat e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.

Dhe Luli si një xhentilmen i vërtetë, i pranishëm në pistën e këtij stadiumi, ka qenë i pari që e ka uruar rekordmenin e ri.

Megjithatë karriera e tij ka qenë vërtetë brilante. E nisur në vitin 1988 dhe e mbyllur më 2001, Olti ka qenë një sprinter i shkëlqyer teksa ka konkurruar me sukses në gara e 100 m, 200 m, stafetën 4×100 m dhe stafetën 4 x400 metra.

Gjatë këtyre viteve, ka fituar 28 tituj kampion individual, ka thyer 8 rekorde kombëtare (4 në salla të mbyllura), ka qenë anëtar i ekipit kombëtar për shumë vite me rradhë, pjesmarrës në disa Ballkaniada, Kampionate Europiane e Botërore si dhe pjesmarrës në Lojërat Olimpike “Sidney 2000”.

Në garat ndërkombëtare ka fituar 5 medalje të rëndësishme, duke nisur nga ajo e arit në Kupën e Kampioneve të Europës në Luksemburg në vitin 1998 në garën e 200 metrave, medalje argjendi në 100 m, medalje bronzi në Ballkaniadën e sallave të mbylluara në garën e 60 metrave si dhe medalje bronzi në garën e stafetës 4 x 100 metra.

Mban titullin “Mjeshtër Sporti” ndërsa pak kohë më parë është vlerësuar si “Sportist i Shekullit” nga Sportklub Vllaznia dhe Bashkia Shkodër me rastin e 100 vjetorit të krijimit të këtij klubi.
Gjergj KOLA

Oltion Luli:
28 tituj kampion
Rekordmen: 100m, 200m, 4×100m
5 medalje nderkombetare
Sportisti i shekullit XX ne atletike
Dy here fitues i anketes “Sportistet me te mire te vitit”
Pjesmarres ne lojerat olimpike “Sidnej 2000”