Dy gjimnaste të Vllaznisë kanë zënë vendet e para dhe janë shpallur fituese të Kupës së Shqipërisë në garat e zhvilluara dy ditë më parë në Tiranë. Bëhet fjalë për Oneda Reçin dhe Eralda Zemanajn. Njëra ka zënë vendin e parë me të rriturat dhe tjetra me të reja. Në këtë Kupë kanë qenë disa gara që janë zhvilluar dhe fund sigurisht që janë shpallur edhe fituesit për shumëgarëshin ku Reçi ka arritur të grumbullojë 49.60 pikë me të rriturat duke i sfiduar të gjitha kundërshtaret e saj dhe ka merituar diplomën e vendit të parë.
E njëjta gjë edhe në garat e të rejave ku Zemanaj ka grumbulluar 45.75 pikë, më shumë se gjitha vajzat e tjera dhe ka zënë vendin e parë. Në këtë mënyrë, gjimnastet e Vllaznisë edhe në këto gara kanë treguar vlerat e tyre duke nderuar edhe klubin që përfaqësojnë. Kujtojmë këtu që ekipi shkodran është edhe kampion në fuqi dhe tashmë vajzat e tij shpallen edhe fituese të Kupës së Shqipërisë. Gjimnastika është një sport me tradita në Shkodër sepse nga ky qytet kanë dalë emra të shquar të këtij sporti dhe tashmë kjo histori vazhdon edhe sot.
Gjergj KOLA