“Sa herë që ekipet kërkojnë oksigjen dhe kërkojnë të bëjnë kthesen, këtë e gjejnë tek Vllaznia”. Kjo ka qenë shprehja që unë kam dëgjuar që kur kam patur nderin e madh të njoh një prej profesorëve të mirë në rrugën e gazetarisë, të ndjerit Ymer Striniqi.

Dhe sa herë kjo shpehje ka zënë vend dhe më është kujtuar prej shumë e shumë vitesh. Madje një gjë të tillë ia kam shprehur edhe miqve të mirë një ditë më parë se përballja mes Laçit e Vllaznisë të luhej. Por ajo që të vjen keq është se kësaj here “oksigjeni” duket se iu dha pikërisht nga vetë Vllaznia.

Ekipi që kishte shënuar vetëm katër gola në 8 ndeshje, kishta marrë vetë tre barazime në po kaq ndeshje, skuadra që në 45 minuta bëri vetëm një gol gjysmë të dhuruar, arriti të shënojë edhe dy herë të tjera në pjesën e dytë dhe të marrë fitoren e parë në këtë kampionat dhe për më tepër pa hasur më të voglen rezistencë.

Ky ishte Laçi dhe sigurisht që ky sukses ishte merita e futbollistëve të tij, pavarësisht se humbja kuqeblu që me “dëmtimin” në minutat e fundit të Balajt ishte e paralajmëruar. Një ekip me shumë mungesa për arsye kartonash e dëmtimesh që shënon dhe udhëheq me shifrat 0-1, shpërfytyrohet tërësisht duke gabuar që nga porta e deri tek i fundit derisa gjithçka mbetet tek shifrat 3-1.

Një rezultat ky të cilin asnjëra prej skuadrave nuk kërkoi që ta thellonte apo ta minimizonte deri në vërshëllimën e fundit të takimit. Gjithsesi kjo nuk duket se kishte shumë rëndësi për dy skuadrat, pasi Laçi arriti fitoren e parë në këtë sezon dhe Vllaznia që vazhdon të jetë zemërgjërë si përherë, kur startin e çdo trajneri debutues ja bën sa më të lehtë.