Bledar Devolli është një trajner, pa filtra, komplet ndryshe nga të tjerët; të paktën në stil. Jeton në çdo moment me lojën, thërret si një tenor gjatë gjithë ndeshjes, skuqet kur lojtarët e tij humbin topin, dhe zverdhet kur kundërshtarët i shënojnë….
Bledar Devolli nuk është më i miri, por sigurisht është më i veçanti. Një profil pa kollare, një trajner pune. Ata që janë afër tij tërbohen nga ulërimat intensive të trajnerit gjirokastrit, që dikur në karrierën e tij ka luajtur për klube të mëdha si Partizani, Tirana dhe shumë të tjera…
Po qëndruat afër tij bëni gati kufjet se do ta keni të vështirë për të ndjekur ndeshjen, aq më shumë kur në stadium nuk ka shumë tifozë. Nuk është shaka, është e vertetë.
Pavarësisht se dikush e pëlqen e dikush jo, kjo mënyrë për 46-vjeçarin ka funksionuar dhe pse nuk është shumë moderne dhe etike në publik e shpeshherë ajo bëhet në dhomat e zhveshjes, larg fokusit të kamerave.
Po Devolli se vret mendjen për këtë, është pak “Simeone style”, nga pathosi them, se në skema nuk jam në gjendje t’i vlerësoj. Britmat e Devollit te lojtarët e tij të Kukësit, kanë sjellë efekt, madje të menjëhershëm, në një kohë turbullirash për klubin verilindor.
Ilaç në kohën e duhur.
Bledi i mori këta futbollistë në një gjendje kome, dhe më pas dalëngadalë i zgjoi shpresën, duke arritur të eliminojë Tiranën në dy ndeshje dramatike. Dhe festa tregon qartë madhështinë e suksesit.
Një arritje që erdhi edhe pse Kukësi tashmë paradoksalisht do zbresë një kategori më poshtë. Një ngushëllim dhe shpresë për vazhdimin.
Por në 14 maj, Devolli dhe djemtë e tij do të zbresin në stadiumin “Air Albania” në finalen e Kupës së Shqipërisë përballë Egnatias, që është në të njëjtin vend si finaliste, për vitin e dytë radhazi.
Ndeshja parashikohet të jetë e bukur, e fortë dhe me emocione. Ajo është një finale dhe në një finale, ndodh gjithçka. Devolli, tashmë po përgatit ekipin për përmbytjen e radhës.
Por edhe nëse ajo nuk ndodh, Devolli e ka marrë vlerësimin për punën e shkëlqyer. Atë ditë edhe vokali i tij do të jetë në një nivel tjetër… Patjetër!