Mirëmëngjes Silvinjio! Kjo do të jetë përshëndetja e shqiptarëve mëngjesin e të hënës së 9 Janarit, kur FSHF-ja zyrtarisht do të prezantojë trajnerin tonë të ri. Po si do të përgjigjet braziliani?! Përshëndetja e tij, nuk dihet në cilën gjuhë do të vijë, në fakt ai di shumë… di anglisht sespse ka luajtur në ishull.
Flet portugalisht, pasi kjo është gjuha zyrtare në Brazil, komunikon në spanjisht, se ka luajtur në Spanjë te Celta Vigo dhe Barcelona. Gati –gati, trajneri ynë i ri gjysmën e jetës e ka shpenzuar në stadiumet europiane, ku dëgjoi dhe mësoi nga mendje të mençura të trajningut në shumë dhoma zhveshje.
Ai është drejtuar nga Arsen Venger te Arsenali, apo edhe Rajkard dhe Pep Guardiola. Sa skema, sa episode, sa histori… Valixhe të mbushura plot me eksperienca kolozësh, por që do ti eksportojë në një vend të ri. T’i shkarkojë këtu dhe më pas t’i përshtasë me adaptorët vendas.
I përzierë në kokë me kultura të ndryshme dhe futboll, Silvinjo, do të ketë vërtetë një test shumë të vështirë në një vend komplet të panjohur, me tradita të ndryshme, me futboll të një shkolle të papërcaktuar loje, apo dhe në sisteme hibride, brenda dhe jashtë fushe…
Është koha e spostimit të tij të madh nga mbrojtës krahu në mendim, në një “numër 10” tipik playmaker. Nga ana tjetër nga një ndihmëstrajner, si në rastin Tite me Kombëtaren e Brazilit, të hedhë hapin e madh dhe të bëjë Bosin për të marrë vendime efiçente dhe në kohë reale. Tek ulesh duke rrufitur kafen e zakonshme në kafeteritë e Tiranës, natyrshëm njerëz që e duan këtë lojë dhe Kombëtaren kuqezi pyesin… Po si është ky Silvinjio si trajner?