Java e 7-të e Kategorisë Superiore na tregoi edhe njëherë se ky kampionat është i paparashikueshëm përsa i përket rezultateve, paraqitjes së skuadrave fushën e lojës dhe lojtarëve që po e rrisin formën e tyre ndeshje pas ndeshje.

E nisim me Partizanin që po kryeson klasifikimin e përgjithshëm me 15 pikë, 5 fitore dhe 2 humbje, akoma nuk njohin asnjë barazim në 7 javë. Partizani vinte në këtë jave të 7-të pas humbjes shumë të vështirë në derbi ndaj Tiranës dhe transferta e Shkodrës kundër Vllaznisë në pamje të parë dukej një skenar i tmerrshëm, por Partizani ja doli dhe tregoi që është një skuadër me karakter dhe potencialisht kandidatura kryesore për fitimin e titullit kampion, bazuar te loja që ka prodhuar në këto 7 javë të para dhe në njëfarë mënyre është e vetmja skuadër që i ka imponuar pothuajse çdo kundërshtari kontrollin e lojes (statistikat flasin). ‘’Pretendentë’’.

Tirana, vendi i dytë në klasifikimin e përgjithshëm me 3 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje, me një golavarazh 13 gola të shënuar (10 prej të cilave i ka shënuar Xhixha në super formë) dhe 6 gola të pësuar (3 gola i pësoi në ndeshjen kundër Laçit në shtëpi). Edhe Tirana si Partizani është pretendent kryesor për fitimin e titullit kampion, sepse vjen si kampione në fuqi, ka në organike futbollistë të shkëlqyer, dyshja Osmani-Shehi ekspertë të Kategorisë Superiore, janë pika shumë të forta, por në ndeshjen e fundit Tirana na tregoi se ka probleme në fazën mbrojtëse. Të pësosh 3 gola në fushën tënde është shumë për një skuadër që pretendon. ‘’Të paparashikueshëm’’.

Erzeni i Shijakut, skuadër që erdhi nga Kategoria e Parë pas 2 dekadash, dhe si objektiv kryesor përpara fillimit të kampionatit kishte qëndrimin midis më të mirave në Kategorinë Superiore, por këto 7 javë të para na treguan të kundërtën, Erzeni ndan vendin e 2-të në renditjen e përgjithshme me Tiranën me 12 pikë. Jo vetëm pikët por edhe fusha e lojës bën që kjo skuadër të meritojë të gjithë vëmendjen e duhur. Trajneri Kapllani deri më tani ka bërë një mrekulli me këtë skuadër. ‘’Shembull’’.

Bylisi i Ballshit, një skuadër e ndërtuar me shumë kujdes dhe me një projekt të qartë nga presidenti Besnik Kapllani, ka pothuajse 3 vite që ruan boshtin e skuadrës dhe filozofia e këtij klubi është promovimi i futbollistëve të rinj shqiptar dhe jo vetëm. Java e 7-të Bylisin e përballi me Kukësin në transfertë, një ndeshje e vështire në një fushë të vështirë, humbi me rezultatin 2-0 por me një lojë të interpretuar shumë mire, si në qarkullim por edhe në trazicion, golat erdhën si pasojë e nje gabimi në vendosje në goditjen standarte dhe goli i dytë nga një gabim individual. Bylis është në vendin e 4-të në tabelën e klasifikimit me 11 pikë dhe me 8 gola të shënuar e 5 të pësuar. ‘’Balancë’’

Vllaznia, vendi i 5-të në tabelën e klasifikimit me 10 pikë në 7 ndeshje, ka fituar 3 ndeshje, ka humbur 3 dhe barazuar 1. Vllaznia na ka treguar këtë fillim sezoni se është një skuadër me luhatje si në rezultate por edhe në lojë. Në fillim sezoni në letër dukej që do të ishte pretendente kryesore por çfarë ka treguar deri më tani nuk ka bindur. Futbollistët që ka në përbërje janë me shumë vlera, dhe trajneri Mirel Josa është një ekspert i Superligës, që duhet të gjejë sa më shpejt ekuilibrat.

Në ndeshjen e fundjavës kundër Partizanit pamë një Vllazni argëtuese që sulmoi për 90 minuta, por pëson gola të lehte dhe të evitueshëm. Tifozët e Vllaznise janë të mrekullueshëm dhe shpresojmë që ta mbështesin skuadrën me një numer më të madh në shkallët e stadiumit, ata janë një vlerë për kampionatin shqiptar. ‘’Në pritje të Vllaznisë së madhe’’

Egnatia, skuadra shumë simpatike e kampionatit tonë, korrekte brenda dhe jashtë fushe. Drejtuesit po fusin një frymë të re në mënyrën e menaxhimit të skuadrës, filozofia dhe objektivi është që të ndërtojnë një skuadër me plan afatgjatë dhe të mirëmenduar. Deri më tani ja kanë dalë më së miri. Në Rrogozhinë luhet futboll fair-play, edhe nga stadiumi që ta ofron këtë mundësi. Trajneri Tetova po na tregon që edhe pse i ri di të menaxhojë shume mirë situatat dhe ta përshtati skuadrën në fushë në varësi të kundërshtarit dhe rezultatit.

Ndeshja në fundjavë përballë Erzenit jashtë fushe i dha një pike shumë të rëndësishme skuadrës që nuk pëson gol prej 5 ndeshjesh ne kampionat dhe 1 një kupe, rekord sezonal, gjithashtu nuk arrin të shënojë prej 3 ndeshjesh radhazi, problem që duhet të zgjidhet. Nuk do çuditem nëse Egnatia do të jetë një nder skuadrat që do të na përfaqësoi shpesh në Europe dekadën që po vjen. ‘’Mirëmanaxhim’’

Kastrioti, skuadra që luan jashtë fushe çdo ndeshje për arsye se stadiumi i Krujës është i shkatërruar, “mëkat’’. Por pavarësisht këtij fakti kjo skuadër luan një futboll burrëror, agresiv dhe me shumë ritëm, linjat janë afër dhe kjo i bën shpeshherë të padepërtueshëm. Fitorja perballë Teutës ishte shumë e rëndësishme si për 3 pikët por edhe në aspektin psikologjik, nuk shënonin prej 3 ndeshjesh, gjithashtu sulmuesi Morbek u zhbllokua duke shënuar me penallti. Dyshja e stolit Çela-Kuli po na tregojnë që kjo skuadër do i japi tonin kampionatit shqiptar këtë sezon. ‘’Karakter’’

Kukësi, skuadër e ndërtuar këtë verë, pothuajse 80% e skuadrës është e re dhe natyrisht që kërkon një kohë të caktuar që futbollistët të shprehin vlerat e tyre, sepse i duhet të përshtaten me skuadrën, drejtuesit, tifozët, qytetin etj. Trajneri Gega (një nga më të mirët) gjatë verës seleksionoi futbollistët me shumë potencial por nuk arriti të ketë kohën e duhur në dispozicion që të vazhdonte projektin e tij, sepse u shkarkua nga drejtuesit e ekipit pas barazimit në Durrës.

Por në futboll nuk ka kohë për të qarë dhe drejtuesit e Kukësit afruan trajnerin Enkeleid Dobi, me një eksperiencë si futbollist në kampionatin shqiptar por edhe ne Kroaci, Poloni, Slloveni dhe me Kombëtaren shqiptare, ndërsa si trajner ka drejtuar në Poloni. Në 3 ndeshjet e para për Dobin ishin humbja me Partizanin që skuadra dha sinjale te mira, më pas dy fitore kundër Laçit në transferte dhe Bylis në shtëpi. 6 pikë që do të thonë frymëmarrje për këtë skuadër që pritet shumë. Kukësin në këto ndeshje e kemi parë të ndryshojë shpesh skemë, luan me 4 mbrojtës por ndryshon edhe me 3 mbrojtës në varësi të rezultatit dhe kundërshtarit. ‘’Në ngjitje’’

Laçi, e pabesueshme metamorfoza që pësoi kjo skuadër që ka mbajtur flamurin përsa i përket skuadrave tona në Kupat e Europës. Por ndryshimet në skuadër si të trajnerit, dhe disa futbollistëve sidomos në mesfushë bëri që repartet mos të lidhen mes tyre ashtu si duhen. Ndeshja e fundit kundër Tiranës dha shpresë që kjo skuadër e ka potencialin e duhur të bëjë mirë edhe këtë sezon, kapiteni Mazrekaj është shumë i rëndësishëm për skuadrën. Trajneri Vukicevic është në presion të rezultateve, por mesa duket drejtuesit kanë shumë besim tek ky trajner dhe po i japin kohën që të shprehi vlerat e tij. ‘’Durim’’

Teuta, kampione para 2 sezonesh entuziazmoi të gjithë Durrësin për këtë arritje historike. Drejtuesit e Teutës mesa duket kanë filozofi të investojnë tek akademia e tyre dhe të rinjtë me vlera në mbarë Shqipërinë. Trajneri Bledi Shkembi është një trajner shumë i talentuar dhe tenton që të përçojë tek futbollistët të gjitha idetë e tij. Deri më tani në loje ja ka arritur duke bërë një futboll të bukur sulmues, por sidomos në qarkullim të topit Teuta është shumë e qartë, por pa rezultatet që pritet, një problem i madh sepse javët kalojnë dhe skuadra është në vendin e fundit pa asnjë fitore në 7 ndeshje, një fakt që nuk jemi mësuar ta shikojmë në dekadën e fundit. ‘’Në rrezik’’

Skuadra e Arbitrave, për notën 8 deri më tani, ja kanë dalë me sukses të menaxhojnë situatat që janë krijuar, pa diskutim që do vendosja 10 për skuadrën e Arbitrave nëse nuk do ishte gabimi i anësorit në ndeshjen Erzeni-Teuta ku i anuloi një gol të rregullt Erzenit. Gjithashtu një notë e humbin jo për faj të tyre por për vonesat që shkaktohen kur sistemi VAR kontrollon episodet e dyshimta. Vlen te përmendet ndeshja derbi Partizani-Tirana ku arbitri Juxhin Xhaja ishte në lartësinë e derbit, gjithashtu Kridens Meta që ka dhënë një penallti në minutën e 90-të pa ndërhyrjen e VAR, ekspert.

Dua të përmend arbitren Emanuela Rusta që meriton vëmendje dhe respekt nga të gjithë aktorët e futbollit. Sa mirë do të ishte ta shikonim sa më shpesh të arbitrojë në Kategorinë Superiore, në vlerësimin tim i ka të gjitha mundësitë. Kjo skuadër duhet të jetë më e mira dhe pa ndikim në rezultatin e asnjë ndeshje. Arbitri duhet vetëm të interpretojë rregulloren në mënyrën e duhur dhe sigurisht që kanë gjithë mbështetjen tonë, edhe ana tjetër e medaljes do jetë shumë e fortë nëse do të shikojmë problematika.

Në princip, nuk duhet të harrojmë asnjëherë, asnjeri, që më të rëndësishmit e një ndeshje futbolli janë FUTBOLLISTËT./oversport/