Vllaznia më në fund e ka një çmim. Ky është një lajm që po e trumbetojnë të gjithë. Më në fund, atëhere kur realisht Vllaznia preku fundin, doli dhe çmimi që duhet paguar për ta blerë(!?)

Ndërsa duket se lajmi është çmimi, besoj se duhet të jetë shumë më e rëndësishme se si ka dalë ky çmim dhe, sidomos, se çfarë po blehet me këtë çmim.

Procedura e vlerësimit të klubit dhe përcaktimi i vlerës së tij në lekë përbën një precedent që duhet të ishte dhe duhet të jetë objekt diskutimi e analize më serioze.

Pra, nëse dikush vendos të hyjë në ankand për të blerë klubin me çmimin filestar 50,7 milion lekë, atëherë duhet të jetë i qartë se çfarë blen?

Nëse blen emrin dhe bëhet pronar i këtij emri, a ka menduar bashkia se pronari i ri mund ta ndryshojë emrin sipas dëshirës sepse, në fund të fundit, është pronë e tij?

Dhe a ka marrë ndonjë masë ligjore që kjo të mos ndodhë pa miratimin e saj?

Bashkë me emrin, çfarë blehet tjetër? Blehen lojtarët dhe trajnerët që janë nën kontratë por kjo është “thikë më dy presa” sepse pronari i ri, në këtë rast, duke blerë kontratat e tyre, nuk blen vetëm pronë por mund të blejë edhe telashe.

Ai nuk i heq dot ata që nuk i duhen ndërsa ata që i duhen janë pronë vetëm sa zgjat kontrata që kanë me pronarët e vjetër. Kur të mbarojë kontrata vlera e kësaj prone bëhet zero.

Së fundmi mund të argumentohet se blen historinë e klubit. Po a mundet që historia e një klubi të kuantifikohet në para dhe a mund të shitet historia?

Natyrisht që të shesësh historinë nuk mund të thotë që ti japësh pronarit të ri autorësinë e arritjeve historike të periudhës kur ai nuk ishte pronar.

Pra blehet një klub me histori dhe jo historia e një klubi. Dhe në këtë moment vlerësimi i historisë është aq subjektiv sa “i teket” vlerësuesit…

Ndërkohë që historia nuk prodhon para në Shqipëri, pra, nuk duket se ka vlera për të ardhmen. Aq më tepër në rastin e Vllaznisë ku kjo histori u kompromentua keq me dështimin e 2018…

Pra, në përfundim të një analize, sado sipërfaqësore, duket se procedura e zgjedhur për ndryshimin e pronësisë së Vllaznisë, duke përbërë një risi, duhet të jetë objekt debati jo aq për sasinë e parave se sa për precedentin që krijon.
*Opinion për “Vipsport.al”