Sporti shqiptar ka një problem të madh me financat e tij: nga një anë ka një mungesë ekstreme fondesh dhe nga ana tjetër detyrohet të paguajë taksa e tatime edhe mbi ato “pesë lekë” që siguron me shumë vështirësi. Ligji i Sportit: Neni 7, Pika 4 thotë: “Shteti mbështet organizatat sportive dhe subjektet sponsorizuese të veprimtarive sportive, nëpërmjet krijimit të lehtësive fiskale”…

Për fat të keq, ashtu si shumë aspekte të tjera të këtij ligji, edhe ky paragraf ka mbetur thjesht deklarativ dhe pa asnjë kontribut real në sport. Sepse ligji nuk garanton sot asnjë lehtësim real fiskal ndaj subjekteve që zhvillojnë dhe financojnë sportin.

Dhe një ligj që nuk garanton mbështetje, sepse nuk ka të përcaktuar se kush dhe si do të përfitojë nga këto lehtësira fiskale, më tepër se ligj, është një deklaratë formale pa asnjë vlerë reale konkrete. Si duhet të rishkruhet ky nen? Duke shprehur konkretisht se kush i përfiton këto lehtësira fiskale dhe cilat janë ato.

Neni 7 duhet, të paktën, të thotë: Organizatat sportive të të gjitha llojeve nuk paguajnë taksa dhe tatime të çfarëdo lloji. Sportistët dhe specialistët nuk tatohen mbi përfitimet e çdo lloji që marrin në sport. Organizatat sportive që ndërtojnë apo menaxhojnë ambiente sportive nuk paguajnë asnjë taksë mbi ndërtimin apo menaxhimin e këtyre ambienteve për të paktën 10 vite.

Aksionerët e një shoqërie tregtare sportive, që kanë më tepër se 30 për qind të aksioneve në të, kanë të drejtë që 25 për qind të TVSH të një prej bizneseve të tjera që mund të kenë, t’ju zbritet, me kusht që ta investojnë në klubin sportiv ku janë aksionerë.

Shërbimet që i ofrohen një organizate sportive nga biznese të kategorive hoteleri, restorante, transport nuk përmbajnë TVSH. Natyrshëm që ka edhe të tjera masa ligjore, si këto më sipër, që mund t’i shtohen kësaj liste. Dhe të gjitha këto masa duhet të pasqyrohen pastaj edhe në ligjin mbi tatimet e taksat në Shqipëri.

Në kushtet kur sporti në Shqipëri po vuan një varfëri ekstreme dhe me pasoja katastrofike për mbijetesën e tij, këto lehtësira fiskale, të përkohshme apo të përhershme, kanë një vlerë jetike. Ato, të paktën, garantojnë që shteti nuk do t’i marrë para sportit nëpërmjet tatimeve dhe taksave mbi aktivitetin që zhvillohet.

Në të njëjtën kohë, ato janë edhe treguesi konkret që shteti shqiptar e ka seriozisht kur merr përsipër të përmendë në ligj mbështetjen financiare dhe lehtësirat fiskale për sportin. Mbështetje që, së pari, fillon duke mos futur dorën e taksidarëve në “xhepin e shpuar” të sportit. Se për të dhënë më tepër para për sportin, u mor vesh që nuk e ka ndërmend….ini
*Opinioni eshte botuar ne gazeten “Panorama Sport”