Nis periudha e katërt e kampionatit të Sh qipërisë 2020-’21. Edhe 9 javë ose edhe 9 ndeshje për secilën skuadër. Midis një katërsheje kryesuese, “pasunari” më i madh është vetëm 1: Partizani 16 herë kampion i Shqipërisë. Ndërkohë që, kryesuesi i parë është Teuta e Durrësit vetëm 1 herë kampione, në 1994. Mandej Vllaznia e cila ka 20 vjet që nuk merr titull.

Tjetri është KF Laçi i cili ka mbërritur vetëm deri tek i treti, edhe këtë vetëm një herë, stinën që shkoi (2019-’20). Ndërkaq, dikush thotë se titulli 2020-’21 ka edhe një mëtuese të pestë që është Sportklub Tirana, për të cilën vetëm unë ia shkruaj emrin e origjinës “Sportklub Tirana”. Kudo e gjen padrejtësisht vetëm “Tirana”. Kjo tregon se në këtë klub nuk ka njohës të vërtetësisë të së kaluarës së tij.

Tjetër çështje kjo, megjithatë. Ndonëse emërtimet e disa klubeve në Shqipëri janë bërë jo pak lëmsh. Madje, guxojmë e shqiptarizojmë deri emrin e Juventusit të Italisë së cilës gati përditë i themi “Juvja”, kur dihet se ajo ka vetëm dy variante: “Juventus” dhe “Juve”. I kthehemi ndërkaq javës 27 që solli “risinë” e kryesimit të Teutës së Durrësit për herë të dytë radhazi, por tash me epërsi në pikë: +2. Aty pranë janë të tjerët.

Kush pra? Teuta, Partizani, Vllaznia, KF Laçi? Apo?… Edhe pse unë për vete, nuk parapëlqej, që gjatë gjithë kampionatit, të mos ketë bisedë tjetër përveç retorikës se “kush e fiton titullin e kampionit”, tash, teksa po fillojmë periudhën e 4-t të tij të vetëm 9 ndeshjeve për secilën, pyetja se kush e fiton titullin, natyrisht del në rend të ditës. Një gjë është e qartë: Qysh sot skuadra e KF Kukësit – kampione më 2017 – por plot 6 herë nënkampione në 8 vitet e fundit, sivjet nuk ka punë me titullin.

Është në vendin e 6- të, çka do të thotë kryesuese e pesëshes së dytë të kampionatit, 7 pikë larg Sporktlub Tiranës, 5 përpara Kastriotit. E pra, cili do të jetë roli i kësaj skuadre më medaliste se asnjë tjetër në 8 kampionatet e fundit: 1 medalje ari, 6 argjendi dhe 1 bronzi, ndonëse Shqipëria nuk mbërrin deri te një përshtatje medaliste kësisoj “olimpike” për kampionatin e saj? E vërteta është se për këtë 2020-’21 vendosja e kuksianëve (pa asnjë kuksian) në atë që i thonë “mesi i artë”, nuk ka vlerë ngaqë nuk ka assesi shNGA BESNIK DIZDARI këlqimin e arit, por kisha me thënë as atë të bronzit.

E megjithatë, nëse e kujtoni që do të ndeshet radhazi me të gjithë 4 apo 5 mëtuesit e titullit, skuadra e Kukësit mund të hyjë në historinë e këtij viti 2021 si protagonisti që jep “lejet” për te titulli. I takon t’i sulmojë pa mëshirë të gjithë, për të treguar që edhe pse nuk ka punë as me titullin e as me Europën, ka punë me futbollin e vërtetë e të ndershëm, që zbukuron javët edhe të një kampionati modest si ky i Shqipërisë. Atëherë? Javën që vjen është ndeshja KF Kukësi – SK Tirana. Një javë më vonë Partizani – KF Kukësi. Mandej KF Kukësi – Teuta.

Më tej KF Laçi – KF Kukësi. Mbas kësaj është KF Kukësi – Vllaznia. Do të dëshiroja që këto 5 javë të jenë javë kuksiane, edhe pse kjo skuadër ndër më të mirat, por edhe ndër më “artificialet”, madje në krejt historinë e kampionatit shqiptar, e ndërtuar me të tjerë pra, pa harruar se sivjet nuk luan as në fushën e vet! Kështu, për t’i thënë kampionatit se kjo për titullin nuk është thjesht një luftë “lokale” e katërshes së parë, por përtej saj.

E, ky kampionat i 37 ndeshjeve 1-0 e nja 17 të tjera 0-0 (dy qenë këtë javë), ku asnjë skuadër nuk ka arritur të shënojë mesatarisht qoftë edhe një gol e gjysmë për ndeshje, të paktën të motorizohet në 9 javët e fundit. Baraspesha e katërshes së parë të duket se ta premton një gjë të tillë. Ndjenja e “hakmarrjes” shkodrane, Vllaznisë që ia shuan pa mëshirë 9 pikët epërsi; shpërthimi i KF Laçit i cili në javën 16 ishte 12 pikë mbrapa Vllaznisë e tash kërkon edhe ai titullin e parë; ndoshta dhe sulmi i Partizanit që mund të ketë nisë me këtë 3-0 spektakolar ndaj Bylisit; dhe mbi të gjitha, etja e shpjegueshme e Teutës për të sjellë në Durrës mbas 27 vjetëve një titull futbolli, nën drejtimin e një kampioni si lojtar të para 20 vjetëve, me emrin Edi Martini nga Shkodra, duket se ta vërtetojnë edhe më fort kërkesën tonë për t’i dhënë këtij kampionati hijeshinë që i mungon.

Dhe mandej ajo tjetra: rënia. Apolonia duket se e ka të pashmangshme. Ndërsa dueli Bylisi-Skënderbeu duket se sapo nis. E kam tejet të vështirë të besoj se do të kemi rënien e Skënderbeut të Korçës – 7 herë kampion i Shqipërisë vetëm në dhjetëvjetëshin e fundit. Kësisoj, ma do mendja se ashtu si skuadra kuksiane, edhe Skënderbeu i vendit të parafundit, por deri para pak europiani ynë, do t’i bashkohet luftës për të ndaluar qoftë edhe skuadrat që po i quaj titullare. E këtë javë kemi Skënderbeu – Teuta…

Tash janë bërë gati për të ardhur Egnatia “e vogël” e Rrogozhinës dhe KF Burreli po “i vogël”. Po të ndodhë kjo, do të thotë se kampionati i ardhshëm do të jetë diku nën sundimin e të vegjëlve kësisoj, vërtet “heroikë”. Mund të ndodhë pra, që nga 10 skuadrat do të kemi pesë, pra gjysmën e tyre, që u përkasin qyteteve të vogla të Shqipërisë, të cilat deri më sot kanë qenë pa peshë në historinë 90- vjeçare të kampionatit tonë kombëtar: Kukës, Laç, Krujë, Rrogozhinë, Burrel!

Mirëpo, a do ta lejojmë që Vlorës, Kavajës, Gjirokastrës, Elbasanit, Beratit, Dinamos, thjesht për numrin e paktë të skuadrave, vetëm 10, t’i bashkohet edhe Korça atje tej në Kategorinë II? Pra, që kampionati i Shqipërisë të mbërrijë deri këtu thjesht nga që tash 7 vjet ia ka ânda Federatës Shqiptare të Futbollit e cila të duket se në mënyrë galopante lufton të shkojë pa ndalë drejt mënjanimit të skuadrave të qyteteve më futbollistike të Shqipërisë.

Vetvetiu, se si na vjen për të shkuar te Pashko Vasa që thërriste në poezinë e tij të famshme: “Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë / Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?” Jo, jo! Këte “mârre” të futbollit shqiptarët nuk ka pse ta durojmë kaq gjatë. Kësisoj, besoj se forcat përparimtare të futbollit në Shqipëri – se te qeveria duket që nuk ka shpresë – këtë verë do të shpërthejnë revolucionin e shtimit të skuadrave, madje revolucionin e riorganizimit tërësor të të tria kampionateve të Shqipërisë.

Nëse jo, atëherë duhet të pranojmë se, përveç të tjerave të jetës së sotme shqiptare, edhe futbolli është në një dorë të vetme autokracie apo diktati të pashembullt, quaje si të duash, të cilit pa dinjitet i janë përulur të gjithë. Dhe po e mbyll duke ju kujtuar kompozicionin përfundimtar të kampionatit 2012- ’13, kur nisi “shkatërrimi” në fjalë:

1. SKËNDERBEU/Korçë 58

2. KF KUKËSI / Kukës 52

3. TEUTA / Durrës 48

4. FLAMURTARI /Vlorë 46

5. SK TIRANA / Tiranë 43

6. VLLAZNIA / Shkodër 38

7. KF LAÇI / Laç 38

8. KASTRIOTI / Krujë 34

9. BESA / Kavajë 32

10.BYLISI / Ballsh 30

11.SHKUMBINI / Peqin 29

12.TOMORI / Berat 19

13.LUFTËTARI/Gjirokastër19

14.APOLONIA / Fier 13

Fort vështirë të na mashtroni duke na thënë se ky kampionat i para 8 vjetëve ka qenë më i keq se ky i sotmi! Vërtet, ku na janë fshehur skuadrat e Vlorës, Kavajës apo Beratit, pa shkuar te të tjerat?…