Them kështu sepse pas shkrimit të 16 shkurtit 2022, po në këtë gazetë, për 100-vjetorin e lindjes së Loro Boriçit, përveç të tjerave, me propozimin për ta nderuar atë me vetë “Vitin e Loro Boriçit”, po bindem se nuk e paskan ditur se kush është ky sportist e trajner, edhe pse mban titullin “Nderi i Kombit”. Mbi të gjithë nuk e paskan ditur, ata që merren me sportin e futbollin në Shqipëri.
Me qeveri e ministri, me KOKSH e FSHF. Po ta dinin do ta nderonin. Ose të paktën të bëzanin. Se as nuk bëzanë, pra. Ndonëse mund të të lindë edhe një mendim tjetër: që këta “liderë” nuk mendojnë, ashtu si për shumë të tjera, as për historinë e kombit, e as për më të mëdhenjtë, të cilët ia kanë kushtuar e sakrifikuar jetën e tyre sportit kombëtar.
Kështu pra, për ta plotësuar edhe më mirë detyrën time si gazetar apo historian i këtyre punëve, po më bie barra mua ta mbyll 100-vjetorin e lindjes së “Nderit të Kombit”, Loro Boriçi, me këtë shkrim tjetër të gjerë që pasqyron jo Boriçin si futbollist legjendar për Shqipërinë, por për trajnerin e madh Loro Boriçi.
Çka përbën pjesën e dytë të jetës së tij, për fat, jo aq të gjatë. E di. Madje e dimë fort mirë. Se ashtu si për gjithë historinë e Shqipërisë, edhe për historinë e sporteve të saj, sot çka nuk ka. Ka harresa të pafund. Ka mosnderime të pafund. Ka shtrembërime po të pafund.
Ka të pavërteta që nuk mbarojnë. Ka shpërpjesëtim meritash. Ka gjykime vetjake që ngatërrojnë vetë historinë. Ka e çka nuk ka!… Ka pra, harresa, moskujtime e mosnderime aktuale edhe për një Loro Boriç.
Duket që këto punë kanë rënë në duar të gabuara. Madje, për fat të keq, në të gjitha instancat. Tash besoj se kjo kujtesë e këtushme, në këtë rast për trajnerin historik Loro Boriçin, ndoshta do t’iu tronditë sadopak, një tronditje së bashku me trishtim. Ose më e pakta: do të kuptoni se me sa papërgjegjësi, pse jo, edhe me sa mungesë atdhetarie, keni vepruar edhe në këtë 100-vjetor.