Natyrisht, si edhe herë të tjera, sepse është mû kjo Federatë e Futbollit, ajo që edhe pse nuk e ka pronë të sajin futbollin kombëtar – që dihet pra, nuk është i saji, por i popullit, duam s’duam, asaj ia kanë dhënë përgjegjësinë për drejtimin e këtij sporti. E kësisoj, asaj i drejtohemi. Jo Ligës që po përmendet aq shumë këto ditë edhe për shkak të “xhentilesës” së gazetarëve, ndonëse ajo nuk ekziston. Siç m’u bashkuan këtë herë edhe zëra të tillë si ai i deputetit Fidel Ylli kur tha:

“Ku e ka Liga selinë? Sa e ka buxhetin? E ka zero. Arbitrat kush i cakton? Federata?… Edvin Libohova është kryetar (anëtar) i Komitetit (Ekzekutiv të FSHF-së) dhe tashmë është vënë në krye të Ligës. FSHF-ja e bëri këtë për t’u hedhur hi syve UEFAs e FIFA-s”. Po kështu qartë e shkroi edhe Eduard Prodani, më parë zyrtar i FSHF-së: “Shqipëria, – shkroi ai, – nuk ka ligë futbolli profesionist”.

Këtë pohim e ka shtjelluar jo pak edhe prof. Artan Shyti, por edhe gazeta “Panorama Sport” disa herë, në jo pak komente të saj, ndërsa unë jam bërë i mërzitshëm duke e përsëritur. E megjithatë, në gjithë këtë kryefortësi të organizmit drejtues të futbollit që prej vitesh i ka personalizuar jo pak çështjet e drejtimit të futbollit kombëtar, papritmas vjen një lajm i mirë, madje shumë i rëndësishëm…

… E PRA: PËRGËZIME FSHF-SË!

Kështu po nëntitulloj. Ngaqë dje u njoftua se FSHF do të organizojë kampionatin kombëtar të Kategorisë së Dytë (sepse e Dytë është) me një grup të vetëm me 16 skuadra. Ia vlen ta përgëzosh FSHF-në për këtë vendim që teksa është historik (doemos është “historik” për ata që e njohin historinë e kampionateve të Shqipërisë) përmban sa përgjegjësitë e një modernizimi të drejtimit, po aq dhe atdhetari futbollistike, nëse mund të përcaktojmë kështu, çka do të thotë seriozitet, largpamësi dhe kuptim i drejtë i një realiteti të kohës.

Autorit të këtushëm sigurisht i vjen fort mirë ngaqë kësisoj, realizohet propozimi i disahershëm, i përimtuar së fundi sidomos në shkrimin e tij të 22 gushtit në faqet e kësaj gazete me titullin “Nëse nuk kërkohet ndryshimi urgjent, atëherë nuk e ka fajin FSHF, por ata që i nënshtrohen asaj”.

Presidentet e FSHF-se ne Minsk

Kampionati me 16 skuadra për Kategorinë e Dytë më në fund duhet të nënkuptohet që FSHF pa bëza ka pranuar falsitetin e kampionatit me dy grupe, madje të ndarë deri dhe me “gegë e toskë”, me “play off” apo “play out” krejt artificialë, me një periudhë të tretë shkatërruese që mbërriti deri dhe me pjesëtim pikësh e plot të tjera krejt të pakëndshme e të pakulturë.

FSHF me këtë vendim, përveç të tjerave, provoi para nesh të gjithëve se mendimi i saj që thoshte për vit se ndryshime të tilla (edhe pse ato i shërbejnë kombit) mund të bëhen gjithnjë vetëm mbas një viti, ka qenë vërtet “djallëzor”. Kështu pra: Përgëzime FSHF-së për këtë kampionat interesant me 16 skuadra! Po a vërtet ajo po e thellon modernizimin e saj?

PËRJASHTIMI I ELBASANIT PËRBALLË BUKURISË SË DY 16-sheve

Ndërkaq, papritmas paskan guxuar të përjashtojnë skuadrën e qytetit të Elbasanit që mban emrin KS Elbasani apo KF Elbasani, duke e zbritur në Kategorinë e Tretë (se e Tretë është). Madje, edhe Erzenin, skuadrën përherë simpatike të Shijakut, siç përcaktonte dikur Anton Mazrreku. E pra, këtë nuk e besoj. Sigurisht qyteti i Elbasanit ka përgjegjësitë e veta që nuk arrin të plotësojë ato që u quajtkan “kritere”. Mirëpo, sa e ke ndihmuar ti me kërkesat e vazhdueshme apo rirregullimet e përhershme të këtyre të ashtuquajturave “kritere”? Madje, jo vetëm Elbasanin, por edhe shumë klube të tjera.

E ke nxjerrë jashtë kampionatit kombëtar në 2015 thjesht sepse skuadra u rendit e 10-ta në një kampionat me vetëm 10 skuadra! Tash pa mëshirë po e kaloke në Kategorinë e Tretë këtë skuadër dy herë kampione të Shqipërisë – përfaqësuese e një prej qyteteve më sportive e futbollistike të Shqipërisë, më të kulturës e të një jete tejet të pasur me histori e qytetari të pashlyeshme. Dhe askush nuk bëzan! Nuk di a do të bëzajë vetë Elbasani apo ka marrë fund qytetaria sportive në këtë qendër të pashlyeshme të historisë së Shqipërisë që pranoka të mos jetë as në 16 skuadrat e Kategorisë së Dytë të Shqipërisë!…

Por të vijmë te thelbi i dukurisë. Them se për sa i përket bukurisë së garës (jo cilësisë, sepse këtë ende nuk e dimë) kampionati i Kategorisë së Dytë me 16 skuadra në një grup të vetëm pa dyshim do të jetë tejet më interesant e serioz. Dhe një model më vete edhe për kampionatin e Kategorisë së Parë, që është ai që më kot quhet Superligë. Do të jenë 30 javë, me dy periudha pra, me dy takime midis skuadrave. Dhe në fund më të mirët që do të mund të kalojnë në Kategorinë Sipërore. Mirëpo, sa do të ngjiten në këtë? Vetëm 2 prej të 16-ave? E pra janë pak.

Përvoja, jo vetëm jona, tregon se prej një kampionati të rangut të dytë me 16 skuadra duhet të ngjiten jo 2, po e pakta 3 skuadrat e para. Kjo do të bëjë të mundur që nga Kategoria e Parë (Superliga) të zbresin po 3 skuadra për t’iu liruar vendin tri të sapoardhurave nga kategoria tjetër. Po për t’u realizuar kjo, Kategoria e Parë (Superliga) duhet të ketë edhe ajo po 16 skuadra. Kjo do të thotë se për ta merituar edhe më tej përgëzimin në fjalë, FSHF nderohet po të anulojë shortin e hedhur për stinën 2020-2021, të riformojë përbërjen e Kategorisë së Parë (Superligën) me 16 skuadra ku 6 prej të cilave që do t’i bashkohen dhjetëshes ekzistuese, të merren kështu, nga Kategoria e Dytë simbas një gare për ngjitje, siç e kam shpjeguar në hollësi në shkrimin e 22 gushtit.

Mendoj se kështu i jepet fund skemës së sotme me 10 skuadra që ndeshen katër herë me njëra-tjetrën, çka e ka bërë fort të mërzitshëm e monoton kampionatin tonë kombëtar. Të gjithë jemi bindur, bie fjala, se katër herë KF Laçi – Kastrioti apo qoftë edhe Bylis – Apolonia që janë si një familje, sjellin veç monotoni e mërzi, çka ka shkaktuar largimin e spektatorëve. Dhe jo vetëm këta. Anulimi i shortit të sapohedhur nuk është një kthim i pabukur. Është vetëm një produkt apo gjest i forcës së atdhetarisë futbollistike sportive të një Federate Sportive të Shqipërisë.

DHE JA TEK MBËRRIJMË TE “BOJKOTIMI”

Tash po mendoj: Nëse qeveria nuk pranon këto katër kërkesa financiare, të taksimit apo të sponsorizimit, çka do të ndodhë? A vërtet nuk do të kemi kampionat kombëtar sivjet? Nuk e besoj se mund të ndodhë kjo. Kërkesat e drejta të 10 klubeve – se kërkesa të vetëm 10 klubeve janë – nuk mund të jenë kërkesa të Ligës profesioniste apo kombëtare të futbollit, sepse dihet që kjo nuk ekziston. Qoftë edhe pse papritmas na tregoi se paska edhe një “sekretar të përgjithshëm”, ndonëse pa njoftuar se si u caktua ky, më e pakta përmes një statuti nëse vërtet ky ekziston.

Tjetër problem nëse këto katër kërkesa janë më të rëndësishmet që kërkon fuqizimi i kampionatit të Shqipërisë. Nuk mendoj se jam i gabuar ndërkaq, kur shtoj se shumë më me rëndësi se këto kërkesa është flakja tej e organizimit tërësor të kampionatit me vetëm 10 skuadra dhe mundësinë e rikthimit urgjent të skuadrave të qyteteve tradicionalë me Vlorë e Elbasan, me Berat e Kavajë, me Gjirokastër e Dinamo a të tjerë të rangut.

Dha ja problemi tjetër: Si ka mundësi që në gjithë këtë situatë nuk i hapet vend rolit të Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve? Si ka mundësi që kjo ministri që qenka pra, qysh në emërtim edhe e sporteve, nuk bëzan? Dhe si ka mundësi që prej saj nuk kërkohet një mbështetje apo kundërshtim, një qëndrim apo argumentim, por shkohet drejt e te njeriu i ngarkuar me detyrën e kryeministrit, sikur ky të ishte zoti apo padroni i të gjithave? Dihet, në shumë vende këtë ministri e quajnë “Ministri të Edukimit”.

Ngaqë, vetvetiu dihet se arsimi është edukatori më i madh i një populli. E edhe sporti bën pjesë tek edukimi. “Edukatë fizike”, pra! I tillë ka qenë emërtimi qysh në vitet e Mbretërisë i edukimit sportiv, fizik, pse jo, shëndetësor, ku doemos hyn edhe pesha edukuese që mbart edhe futbolli shqiptar. Edukatë fizike, mësuesi i edukatës fizike, problemet e edukatës fizike. E edhe futbolli si sport kombëtar këtë rol edukues luante. Mirëpo, a nuk zë vend edhe këtu tema jonë e vjetër që të nxit të kërkosh të dish se kush punon për këtë sektor në Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve?

Nuk e kam fjalën thjesht te drejtuesi i përgjithshëm për sportin kombëtar apo i asaj që e quajtëm edukim fizik apo edukatë fizike për shtetasit, sidomos për rininë, i cili në fund të fundit, mund të jetë edhe një njeri mirëfilli i politikës. Më tepër e kam fjalën tek ai ose ata, të cilët dikur i quanim inspektorë të edukatës fizike apo drejtorë të sektorëve të tilla apo sportive në ministri. Është e çuditshme, vërtet, se si ndodh që prej kësaj kategorie nëpunësie ministrore, asnjeri nuk bëzan, nuk ndihmon, nuk trajton një problem. E madje, ka edhe të tillë, të tipit pseudohistorianë, që merren me shkrime, përveç të tjerave, me plot mangësi e me të pavërteta, ndonjëherë edhe dramatike, për njerëz e ngjarje sportive (Le të shpresojmë se këto punë vetjake nuk i bëjnë në zyrat a orarin e punës në ministri.).

Mënyrë ideale për të devijuar pra, nga detyrat ministrore. Duke çuar vërtet jetë, teksa nuk guxojnë të marrin përsipër asnjë problem apo problematikë, për çka përveç të tjerave edhe paguhen nga ky popull. Dhe nuk u hyn një ferrë në këmbë, teksa nuk marrin asnjë përgjegjësi qeveritare apo shtetërore për gjithë këtë problematikë, se për përgjegjësi qytetare as që të shkon ndërmend. Aq më keq kur këta tipa i përkasin deri diku edhe komunitetit të futbollit, përveç të tjerave madje, duke përfituar me pa të drejtë jo pak prej këtij komuniteti.

Dhe me kryeulë kurrë nuk trajtojnë apo mbështesin një problematikë a shqetësim të futbollit kombëtar. Kësisoj, as edhe për se çka po ngjet kohët e fundit me kampionatin kombëtar të Shqipërisë. Mirëpo, qenka “më bukur” kur shkruan, bie fjala, për 50-vjetorin e ndeshjes Atvidaberg-Partizani apo 17 Nëntori – Ajaks, qoftë edhe duke i përkujtuar ato përmes nxënësve të asokohe që ishin caktuar për të kthyer topat që dalin mbrapa portave! Kur dinjiteti i historisë, i kolegëve tonë, të cilët i kanë përcjellë, shkruar, transmetuar ato ngjarje, e kërkon që pikërisht këta të jenë historianët apo treguesit e dorës së parë, sepse aty janë. Dhe kanë shumë për të treguar…

Ndërsa ty dhe kolegëve, aty, në zyrat e ministrisë, ju takon ta konsumoni kohën e detyrës, madje paradite e mbasdite, me problemet e mprehta, në këtë rast edhe të sportit kombëtar, të futbollit kombëtar. Mundohuni t’i ngjasoni sadopak Minella Kapos, Dervish Lisit, Nexhmi Kadiut, Ismet Bellovës, Feti Borovës, Qemal Shalësit, Manol Bozaxhiut, Ilia Shukes, Pleurat Tahirit, Mihal Qipos, Flora Totos, Marjeta Zaçes, Vesel Rizvanollit, Ilia Gaxhos, Petrit Qendros – sa për të përmendur shpejt vetëm disa prej tyre – dritat e zyrave të të cilëve në ministri mund të rrinin ndezur deri në orët e vona të natës.

Mirëpo, heshtje për problematikën inspektoriale të mprehtë, në këtë rast të sporteve apo të futbollit, për të cilën edhe paguhen. Këta tipa të sotëm e meritojnë që t’ua detyrosh rregullin e dikurshëm të partisë, që e “urdhëronte” inspektorin e ministrisë që të trajtonte rregullisht në shtyp këtë problematikë. Për një çast, të duket se e gjithë kjo zgjatje e këtushme imja nuk ka të bëjë me temën po të këtushme. Them se ka të bëjë fort. Ka të bëjë sepse ky trajtim u bën thirrje të ngarkuarve të Ministrisë së Arsimit e të Sporteve të guxojnë e të merren publikisht me problematikën që sapo e ka tronditur tejet fillimin e stinës së futbollit shqiptar 2020-2021.

Në rast të kundërt, të pyesin veten: A e kam fituar me zotësi detyrën e inspektorit apo nëpunësit të rangut kombëtar në këtë ministri? Ndoshta në këtë përsiatje shkakore na duhet të gjejmë edhe përsenë e faktit se 10 klube të futbollit nuk paskan asnjë besim te Ministria përgjegjëse e Sporteve, por vetëm te njeriu i ngarkuar me detyrën e kryeministrit të Shqipërisë, sikur ky të ishte zoti apo padroni i të gjithave.