Nuk gëzohem, teksa kujtoj se, përveç fajit të vetë Shkodrës për rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Dytë, kanë faj edhe organizimet e papranueshme të Kampionatit Kombëtar prej Federatës Shqiptare të Futbollit. Dhe siç nuk i ndahem idesë që sa vjen e bëhet edhe më “e vjetër” – doemos gjithnjë e më bezdisëse për drejtimin federalist – nëse Kampionati do të ishte zhvilluar sipas traditës së shumtë të dekadave të tana, duke pasë jo 10, por 14 a 16 skuadra, kurrë Vllaznia nuk do të kishte rënë në Kategorinë e Dytë.

Po ashtu, kurrë nuk do të kishte rënë as Sportklub Tirana, e madje as Besa e Kavajës. Sepse, pa shkuar te shembujt e tjerë, këto skuadra historike qytetesh (jo fshatrash apo qytezash) kur ranë nga Kategoria, u renditën thjesht në vendin e 9-të të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Çka do të thotë se ishin midis 9 skuadrave më të mira të Shqipërisë.

Dhe duke qenë se prepotenca e FSHF-së – megjithëse futbolli nuk është aspak i saj, por i Shqipërisë – tash 5 vjet radhazi e organizon Kampionatin me vetëm 10 skuadra, kushedi për çfarë arsye – këto skuadra, të cilat janë nderi i futbollit kombëtar, u flakën tej. Dhe jo vetëm ato. Mendo për një çast: Elbasan! Berat! Kavajë! Fier! Lushnjë!

Çka do të thotë: qytetet jashtë qytetarisë së Kampionatit të Shqipërisë! Kësisoj, nuk kam arsye që të gëzohem as për rikthimin e Vllaznisë. Nuk gëzohem sepse nuk më le rasti i SK Tiranës. Kaq i fuqishëm ishte dëmi i rënies së saj në Kategorinë e Dytë (përsëris: “Kategori e Dytë”, jo “e Parë” me rrêna) sa që ajo, duke humbur tejet prej sharmit të saj, e shihni që prapë po rropatet midis rënies e mosrënies.

Çka kam frikë se kështu do t’i ndodhë edhe Vllaznisë, e cila gjatë kësaj stine 2018-2019, doemos ka marrë jo pak prej stilit e përmbajtjes prapambetëse të një skuadre të Kategorisë së Dytë, kampionati i së cilës është për t’u qarë. Ashtu si dhe për Besën e Kavajës, e cila të shtunën që shkoi nuk kishte asgjë të përbashkët me qytetarinë e futbollit të dikurshëm të saj, kur një ndeshje në Kavajë përherë ka qenë festa e një kulture e shije të vërtetë futbolli.

Dhe mjetet që vërshojnë mbi krenat e arbitrave apo organizatorëve në një stadium të mjerë me plot kuptimin e fjalës, sidomos të pamjes së tribunës karshi, që as Syneijt të dikurshëm nuk do t’i shkonte për shtat. Prapë dhuna! Me gjithë humorin “optimist” të një mbledhjeje të paradokohshme të një përmbajtjeje gjysmë qeveritare, kryeministrore apo ministroro-rendi!…

Dhe i kthehem mosgëzimit për Vllazninë. Sidomos ngaqë tash ajo rrezikon të kalojë në eufori. Kështu ngaqë katër javë para mbarimit të Kampionatit “të saj” të Kategorisë së Dytë e ka siguruar rikthimin falë 12 pikëve epërsi mbi fqinjin e saj Besëlidhja e Lezhës, edhe kjo e harruar.

Ndonëse po të mos ketë vendosur FSHF-ja “pseudorregullin” e pjesëtimit të pikëve, sot Vllaznia do të kishte jo 34 pikë, por plot 56 pikë, e Besëlidhja 37, pra, jo 12 pikë larg sa çfarë thotë pseudorenditja federaliste, por plot 19 pikë epërsi! Nuk gëzohem për rikthimin e Vllaznisë edhe për një fakt tjetër.

Kështu, duke qenë se skuadra shkodrane e ka siguruar rikthimin, do të mund t’i shfrytëzonte këto javë të mbetura, për fillimin e rindërtimit të skuadrës për stinën e ardhshme, duke u përtërirë. Pra, duke përfshirë në këto ndeshje të mbetura, djem të rinj, të cilët vijnë nga ekipet e saj të të rinjve – pararojë kombëtare e Kampionateve të këtyre moshave. Merrni gazetën e ditës së djeshme dhe shihni:

Vllaznia – e dyta në kampionatin NËN17!

Skuadra tjetër e saj “Shkodra” – e para për kampionatin tjetër NËN17!

Vllaznia – e para e Kampionatit më të rëndësishëm të të rinjve, atë NËN19!

Skuadra tjetër e qytetit, ajo me emrin “Shkodra” – e dyta në tjetrin kampionat NËN19!

Dhe merre me mend: FSHF-ja me kryefortësinë e saj të 10 skuadrave, vetvetiu është bërë shkak të përjashtohet nga Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, skuadra e një klubi që me talentet e tij sundon gati në të gjithë Kampionatet e Shqipërisë të të rinjve. Dhe e kujtoni se përherë i ka dhuruar Shqipërisë talente të pafund, jo vetëm për veten e saj, por edhe për klube të tjerë të famshëm të Shqipërisë.

Si në këtë Kampionat të Shqipërisë 2018-’19, ku thuajse gati një Vllazni tjetër është e shpërndarë me lojtarë të saj në skuadrat e tjera. Bëni, pra, sondazhe deri diku shkencore, ndonëse nuk e di nëse FSHF-ja ka ndonjë sektor shkencor në zyrat e saj që po modernizohen pa ia nda. Si të ishte jo Federata e Futbollit e Shqipërisë së vogël e me skuadrat e qyteteve parësorë në Kategorinë e Dytë, por si të ishte Federata Angleze e Futbollit!

Duke qëndruar në këtë argument, nuk e di nëse lejon FSHF-ja që një klub të ketë të drejtë të federojë gjatë gjithë Kampionatit, në çdo kohë pra, lojtarë të rinj të talentuar, të cilët vijnë nga skuadrat e të rinjve të saj. Partia e dikurshme që e kishte monopol të sajin edhe Kampionatin Kombëtar të futbollit, ashtu siç për fatalitet e ka sot edhe kjo FSHF, datuar 2019, jo vetëm e lejonte këtë lloj federimi, por e nxiste. E kuptonte se talenti nuk mund të priste. Tash qenkemi më keq se partia e asokohe!…

Nuk mund të gëzohem aspak për rikthimin e Vllaznisë, përderisa Kampionati Kombëtar i Shqipërisë është i varur prej drejtimit të FSHFsë dhe jo prej Ligës Kombëtare të Futbollit, e cila deri në këtë çast “ekziston” vetëm në emrin artificial të Kampionatit që u quaka “Superligë”! Superligë pa pasur Ligë!

Liga Kombëtare, pra, ajo e cila duke pasë në krye të saj përfaqësuesit e vetë klubeve, nuk do të lejonte kurrsesi as Kampionatin me vetëm 10 skuadra, as ligjet e ashpra të federimit të lojtarëve, as mbushjen e skuadrave shqiptare me lojtarë të huaj, shumica aspak më të mirë se çka kanë klubet vendore, as pjesëtimin e pikëve për dy, as ndarjen skuadrave në Gegë e Toskë.

Dhe kjo FSHF heshtë pra, e nuk thotë as edhe një fjalë të vetme prej gati një viti për shtimin e skuadrave, çka e kanë kërkuar e pakta nja 30 klube të Shqipërisë. Të paktën të shkojnë në Kosovë e të pyesin përse kjo Kosovë shumë më e vogël se Shqipëria paska 12 skuadra në Kampionat? Edhe kjo është një pyetje e “e pakuptim” se shpejt do të dalin “ekspertë” e të na thonë se edhe “Austria, Zvicra apo dikush tjetër e kanë kampionatin me 10 skuadra”.

Duke mos na thënë asnjë fjalë se si këta shtete superprofesioniste në futboll e kanë Kategorinë e Dytë, gati njësoj si të Parën. Nuk kam përse të gëzohem për rikthimin e Vllaznisë, kur kujtoj se futbollistë të rinj të talentuar të saj, bie fjala, të tillë të cilët spikatën aq bukur edhe në ndeshjen me të rinjtë e Partizanit pak ditë më parë, siç më thoshte një specialist i futbollit, e kanë tejet të vështirë të zënë vendet e titullarit, qoftë dhe të ardhshëm. Kjo ngaqë kështu siç është organizuar Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, teksa “presim tregun e janarit” apo ” tregun e verës”, siç iu del rrufeshëm nga goja trajnerëve sapo marrin e lënë skuadrat “orë e çast”, pak vend ka për këta talente.

Kësisoj, gjithnjë e më pak shpresë për talentet e klubit! Nuk gëzohem për rikthimin e Vllaznisë, sepse pa pikë droje (për të mos thënë “pa pikë turpi”), pashë se edhe ekipet kombëtare të 15 e 16-vjeçarëve të Shqipërisë ishin mbushur me djem të shteteve të tjera!… Duket që në politikat a gjeopolitikat e futbollit të brendshëm, këtë të tokës së Republikës së Shqipërisë, sikur ka luajt boshti i vetë tokës. Marramendja kësisoj ka marrë përmasa për t’u studiuar…

Nuk mund të gëzohem për rikthimin e Vllaznisë, sepse me rënien saj, ashtu si dhe te SK Tirana, ajo ka pësuar një goditje kaq të rëndë, saqë e ka jo vetëm të vështirë, por të pamundur për të mbërritur ndonjëherë më, te Vllaznia e dikurshme e Ramazan Rragamit, Din Zhegës e Sabah Bzit me shokë. Por këta janë korifenj. Kështu, kot që u hyj këtyre dëshirave apo krahasimeve. E rëndësishme është se unë dhe jo vetëm unë nuk ndiej asnjë siguri, nuk shoh asnjë fakt domethënës, asnjë rregull, asnjë mbështetje morale a materiale për të besuar se duhet të gëzohem për rikthimin e Vllaznisë.

Nuk kam pse të gëzohem edhe për një fakt tjetër: që edhe 28 vjet pas rënies së Regjimit, Shqipëria ende nuk ka një ligj të posaçëm, të fortë, modern që i shndërron njëherë e mirë klubet shqiptare të futbollit në shoqëri të mirëfillta private. Ndërkaq, kur shoh, bie fjala, se për javë të tana FSHF-ja guxoi deri ta ndalonte Vllazninë të luante në stadiumin e saj, jo vetëm që nuk mund të gëzohem për rikthimin e saj, por frikësohem tejet për këtë autokraci futbollistike të llojit shqiptar. Për të mos i thënë diktaturë federaliste të futbollit në Shqipëri.

Në të vërtetë, nuk kam sesi të gëzohem kur shoh shtetin, qeverinë e ministrinë përkatëse, të cilat as që duan t’ia dinë se po i marrin fund skuadrat e futbollit të qyteteve më futbollistikë të Shqipërisë. Dhe të cilat me mosndërhyrjen e tyre ka rrezik ta bëjnë gati si perëndi Federatën Shqiptare të Futbollit Nuk i gëzohem rikthimit të Vllaznisë, sepse duke i përmbledhë të gjitha këto që u përpoqa t’i shtjelloj në këtë problematikë, arrij në konkluzionin më të frikshëm që më thotë se Vllaznia e sotme e Shkodrës, dhe jo vetëm ajo, nuk e ka lirinë për t’u fuqizuar.

Qofsha i gabuar, megjithate. Ndonëse kujtoj se “liria nuk është asgjë tjetër, përveçse mundësia për t’u bërë më të mirë”, siç paska thënë Albert Camus. Nuk e di nëse do të gjejmë mënyrën për të fituar edhe në këtë fushë, lirinë e plotë që do ta bënte më të mirë edhe sportin më të dashur të shqiptarëve, futbollin. Tash për tash, unë për vete e paskam tejet të vështirë që të gëzohem për rikthimin e Vllaznisë.
*SHkrimi eshte botuar ne “Panorama Sport”