“Skënderbeu godet në Serbi!”

“Teuta – një bullgar gati të firmosë!”

“Skënderbeu tenton dy boshnjakë!”

“Laçi – kolumbianë dhe senegalezë për sulmin!”

” Bylis firmos me Xhixhiuan!”

“Tirana tenton Mensah, Partizani do Rexhinaldon!”

“Partizani i fiksuar për sulmues, Meliç në skenë!”

“Vëllai i Nexhipit bëhet shkes për serbin Muliç!”

“Rikthehet “dashuria” serbe, dy firma për Apoloninë!”

“Tomas Simkoviç, pranë akordit me Partizanin!”

“Bisedime me dy sulmues, pritet një fantazist jordanez!”

“Akord me dy serbë: Apolonia pret edhe katër lojtarë!

” Duket si një poezi “arkaike” e 16- rrokëshit. Në të vërtetë është “moderne”. Frymëzimin e ka prej paraleleve të globit, anë e kënd etnive, të tregut (vazhdojnë t’i thonë jo shqip “mercato”) me gjasë ndërkombëtar. Dhe gjithçka që lexuat në këto “vargje” nuk janë krijim fantastik i autorit të këtyre radhëve, por janë tituj autentikë të “Panorama Sport”.

Nuk gjeta asnjë titull, qoftë dhe prozaik, që të thoshte pak a shumë kështu: “Vllaznia – çerdhe e madhe talentesh – do të ketë katër lojtarë që vijnë prej ekipeve të saj të të rinjve. (E mjera ajo! Hidhet përpjetë se ka fituar 2-1 në Kamzë!) Ose: “Tirana do të ketë 3 djem të rinj prej farishtes së saj që nuk shterr”.

Mirëpo, vetëm tituj gazete për të huaj. Sepse vetëm me këta pritet mrekullia. Ndonëse janë të huaj të rëndomtë, të cilët nuk njihen mirë as në shtetet e tyre prej kah vijnë. Kështu pra, vazhdoni ta shkatërroni të sotmen dhe të ardhmen e futbollit shqiptar.

Ndërkaq, mendja të thotë se “autorët” e gjithë kësaj mund të jenë vetëm dy: Federata Shqiptare e Futbollit, që me afirmim të “mercato”-s së pamëshirshme nuk nxit talentet shqiptare; por edhe Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, që është Qeveria, e cila duket se e ka braktisë trysninë e fortë që i takon të ushtrojë në zhvillimin e organizimit shtetëror, publik, politik, kombëtar, atdhetar të futbollit e të sporteve. Merre me mend: nuk lexova një herë një shkrim të problematikës shqiptare në gazetë që të dalë prej njerëzve të saj të sportit, që punojnë aty!

Mirëpo servilizmi federalist mbështjell ndoshta edhe mjedisin e saj. “Kush punon dhe si ka ardhur të punojë për sportet në Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve?” Temë e bukur, që po më vonon… Aq më tepër që paskemi edhe një ministre të panjohur nga Kosova, e cila me siguri nuk ka idenë se çka është futbolli në Shqipëri, por dhe vetë sporti shqiptar.

Të paktën e thua i njeh sadopak kosovarët e famshëm të Sportklub Tiranës, Riza Lushtën e Naim Kryeziun? Se Loro Boriçin, Panajot Panon apo Sabah Bizin, nuk mund ta fajësojmë që mund të mos i njohë… Kështu, hap mbas hapi po shkatërrohet futbolli në Shqipëri. Luftë talenteve të saj.

Ndalim të djemve të saj! Zhvleftësim ekipeve të të rinjve të saj! E plot të tjera? Vetëm në dy periudhat e para të Kampionatit Kombëtar, këtij 2018-2019, në vetëm 10 skuadrat e tij janë aktivizuar plot 75 futbollistë të huaj, të cilët nuk i ka prodhuar futbolli i Republikës së Shqipërisë. Dhe për fat, pothuajse të gjithë janë lojtarë krejt të zakonshëm apo mesatarë.

Ç’duhet bërë? Mendoj, më e pakta, ndalimi kësisoj i lojtarëve të huaj në klubet shqiptare; ose lejimi i vetëm 2 të huajve të një niveli të lartë për çdo ekip. Dhe ndalim i tregut (“mercato”-s, pra) të janarit për t’i bërë të qëndrueshme skuadrat. Por, lejim në çdo kohë të federimit të lojtarëve që vijnë prej ekipeve të të rinjve të qytetit. Dhe po e mbyll me dy kujtesa. Partia e dikurshme pati urdhëruar që në çdo skuadër klubi të luajë në Kampionat një 18-vjeçar nga ekipi i të rinjve.

Në të vërtetë, nuk e propozoi Partia, por ata specialistë të ditur që e donin futbollin kombëtar, që punonin në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës apo në FSHF. Kujtesa e dytë: Ndonëse pa marrë pjesë për 6 vjet me radhë në Kupat e Europës, më 1978 Shqipëria rifilloi me fitoren e bujshme të Vllaznisë së Shkodrës në Kupën e Kampioneve 2-0 ndaj Austria të Vjenës – shteti i së cilës vetëm dy muaj më parë ishte renditur midis 8 më të mirëve të Kampionatit Botëror.

Në skuadrën e Shkodrës nuk kishte asnjë futbollist të huaj. Asnjë serb, asnjë kolumbian, asnjë bullgar, asnjë senegalez, asnjë boshnjak!… E pra? Vazhdoni ta shkatërroni të sotmen dhe të ardhmen e futbollit kombëtar përderisa të gjithë nuk bëzajnë e po ju lejnë të bëni si të doni ju, ndonëse futbolli nuk është i juaji, por i Shqipërisë.

SHËNIM: Ky artikull është botuar ne “Panorama Sport”.