Nga Eduard ILNICA*
Skuadrat tradicionale të elitës së futbollit shqiptar vitet e fundit i janë rikthyer lavdisë së tyre. Së pari, ishte Partizani që u rikthye pas 26 vitesh kampion. Më pas Tirana u rikthye pas një dekade mungese më titullin, ndërsa këtë vit duket se është radha e Vllaznisë.
Shkodranëve u mungon titulli në Superligë që nga viti 2001, pra 20 vite më parë. Dhe kuqeblutë pas dy dekadave janë më afër se kurrë për ta fituar kampionatin.
Besimi vjen nga fitorja e fundit kundër Kukësit, duke nxjerrë “jashtë loje” një një skuadrat që për cdo vit ka pretenduar titullin. Pra, Vllaznia tashmë nuk mund ta klasifikojmë si të rastësishme në krye të renditjes. Rastësi mund t’i quajmë dy humbjet e saj. Po cfarë ka ndryshuar nga një sezon më parë, kur kuqeblutë për një moment kryesonin së bashku me Bylisin?
Vllaznia e këtij sezoni është e bashkuar, një grup të rinjsh ku “ligjin” nuk e bëjnë më veteranët, por të gjithë bashkë. Edhe vjet pati shumë hyrje-dalje në ekip, por nga sezoni i kaluar, menaxhimi këtë herë ka qenë thuajse perfekt.
Dhe merita më e madhe padyshim i shkon stafit teknik me në krye Thomas Brdaric. Trajneri ka mbajtur me këmbë në tokë të tijtë pas cdo fitoreje, ndërsa ka ditur të ngrejë moralin kur Vllaznia është mundur.
Në këtë stacion të garës Vllaznia ka 12 pikë më shumë se vitin e kaluar dhe kjo është një ogur i mirë. Ndër vite kur shkodranët merrnin disa rezultate pozitive, bëheshin euforikë, por këtë herë gjërat duken ndryshe, futbollistët hyjnë plot uri në fushë dhe nuk ndalen. Këtë vit edhe sponsori ka luajtur rolin pozitiv, pasi nëse janë vonuar rrogat, futbollistët gjithsesi janë shpërblyer me premio.
Por a ka ndonjë defekt Vllaznia? Si cdo skuadër që ndërtohet nga e para, natyrisht jo gjithcka është në perfeksion. Sidomos në dy ndeshjet e fundit, është vënë re që Vllaznia pasi shënon, fillon e mbrohet dhe ul ritmin në fazën ofensive.
Nëse ndaj Teutës ishte deri diku e përligjshme pasi ishte me një lojtar më pak pas shënimit të golit, ndaj Kukësit në 15 minutat e fundit fati ndihmoi kuqeblutë.
Gjithsesi, e ardhmja flet për Vllazninë. Shkodranët mund të përfitojnë akoma më shumë në mesjavë, pasi Partizani e Tirana ndeshen mes tyre dhe një fitore në Ballsh mund t’i shkëpusë akoma më shumë. Në fazën e tretë Vllaznia pret rivalë si Tirana dhe Kukësi në fushën e vet.
Por më pozitivja e të gjithave në favor të Vllaznisë do të ishte rikthimi i tifozëve në stadiume. Nëse kjo do të ndodhte pjesërisht në muajin mars e tutje, do të ishte një shtysë e madhe. Vllaznia, o sot, o kurrë! Nëse nuk arrin të menaxhojë këtë shkëputje, do të duhet të presim vite të tëra për të parë ekipin shkodran në krye.
*Gazetar, KLAN PLUS