Nga Ervin Sina
Gazetar&Komentator në Vizion Plus-Tring

Numërimi mbrapsht ka nisur, emocionet shtohen, tensioni po e po. Për Shqiperinë nuk është normalitet të qenit në kompeticione të tilla të mëdha, sikurse kampionati europian, ndaj është normale që në prag të debutimit kundër Italisë më 15 qershor në Dortmund, çdokush nga ne, miliona shqiptarë anëmbanë botës, mbështetës të kombëtares kuqezi, por edhe vetë lojtarët, stafin teknik dhe ai drejtues të kenë brenda vetes ndjesi gati-gati të çuditshme, shpesh herë të pashpjegueshme në lidhje me atë që mund të na ofrojnë 90-minutat e sfides së parë në grup ndaj Italisë, por jo vetëm, në përgjithësi edhe për të gjitha ditët dhe netët gjermane, të cilat shpresojmë të jenë sa më të gjatë.
Ka shumë që mendojnë se Shqipëria e ka fituar Europianin e vet me kualifikimin tashmë në këtë turne. E thonë ndoshta edhe si një lloj justifikimi i parakohshëm për shkak të “grupit të ferrit” ku përfunduam, ama thellë -thellë brenda vetes lutemi kaq shumë e shpresojme po kaq shumë që Euro 2024 të mos jetë një shëtitje.

Natyrisht në letër përballë Italisë, Spanjës dhe Kroacisë jemi të vegjël në të gjitha dimensionet e krahasimit. Spanja e futbollit të bukur, dominues, një miks mes eksperiences dhe veçanërisht talenteve të jashtëzakonshëm sikurse Pedri, Lamin Yamal, Nico Uilliams, Rodri; Italia, kampione në fuqi, një ekip turnesh që transformohet dhe i tejkalon mundësitë e veta, sot e mbështetur tek boshti i Interit kampion dhe eksperienca e trajnerit Spalleti; apo Kroacia e yjeve si Modric, Brozovic, Perisic, Kovacic etj, të cilët kur t’i mendon se kanë perënduar, shkëlqejnë shumë e më shumë; janë rivalë me të cilët ne si kombëtare modeste, por edhe të tjerë më të fortë sesa ne, nuk bëjmë dot llogari.
Mirëpo, futbolli nuk është shkencë ekzakte, dhe eksperienca jonë e parë në 2016 në Francë tregoi se edhe ndaj kundërshtarëve seriozë, me më shumë traditë e me organika më cilësore, nëse jep shpirtin në fushën e lojës, kombinuar patjetër edhe me pak fat, mund të arrish atë që është e vështirë për t’u menduar e thënë sot.

Dy miqësoret e fundit fituar ndaj Azerbajxhanit dhe Lihtenshteinit nuk janë pika nga ku duhet të nisemi, absolutisht jo…Për nivelin e kundërshtareve së pari, për kujdesin që tregojnë lojtarët për shkak të frikës nga dëmtimet, për eksperimentet e që kryen trajneri, e po të doni edhe për faktin se nuk duam ta pranojmë në vetvete që përtej rezultateve, shqetësimet janë reale për lojën jo bindëse apo se në disa zona të fushës fusim “ujë”.

Thënë këtë, as miqësoret e marsit nuk janë pika nga ku duhet të nisemi, megjithëse në memorien tonë sfida e dytë në Stokholm kundër Suedisë na dha sinjale shumë më të mira dhe inkurajuese në raport me humbjen zhgënjyese ndaj Kilit.

Përtej sfidave miqësore të muajve të fundit, Shqipëria duhet të riniset nga entuziazmi i eliminatoreve, aty ku Sylvinho i mori më të mirën lojtarëve duke formuar një grup kompakt, të etur për rezultate, me dëshirën për të marrë maksimumin, i cili na kulifikoi për herë të dytë në këtë turne madhor. Pa dashur t’i mëshojmë problematikave kryesore në ekip, sikurse janë minutat e pakta në këmbë për një pjesë të titullarëve me klubet e tyre, apo formën jo më të mirë fizike të elementit kyç të kualifikuese sikurse Jasir Asani, do të doja të mendoja dhe gjykoja pozitivisht, të paktën gjatë këtyre ditëve, të cilat janë një festë e madhe për shqiptarët, feste e cila i kalon kufijte e futbollit.
Një prej faktoreve që na shtyjnë të mendojmë gjithmonë e më shumë positivisht janë tifozët tanë, ata të cilët i kanë dhënë ekipit një shtytje të fortë në “strofullën” kuqezi në Tiranë po e po, por edhe në transferta, ku kanë qenë në numër të konsiderueshëm ( kujto këtu Çekinë, Poloninë apo Moldavinë).

Mendoni vetëm për pak sekonda se si ishte atmosfera rreth kombëtares në Francë në vitin 2016, cfarë pamjesh mbrëselene me nuance kuq e zi morën stadiumet ku lujtëm përballë Zvicrës, Rumanisë dhe Francës.

Mendoni si do të jetë në Gjermani, vend tek i cili bashkë më shtete të tjerë të Europës perendimore jetojnë e punojnë miliona bashkëatdhetare nga Shqiperia, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi.

Kombëtarja është padiskutim një motiv krenarie, një element i fortë përbashkues i kombit tonë, dhe nuk ka kohë e vend më ideal sesa një feste e tille futbollistike, një turne kaq i madh si Euro 2024, për të reflektuar me pozitivitet identitetin tonë kombëtar në të gjitha dimensionet e veta, brenda dhe jashtë fushës së lojës.