Problemet me gjykimin e ndeshjeve të basketbollit në Shqipëri kanë qenë prezente ashtu si në të gjithë botën dhe në të gjitha disiplinat sportive ku kontakti fizik është i tillë, që e bën akoma më të vështirë punën për një gjyqtar. Shpeshherë hidhen akuza për gjykim të njëanshëm por asnjëherë nuk kanë dalë prova që të vërtetojnë këto lloj akuzash.
Kuptohet që gjyqtarët janë qenie humane dhe si të tillë nuk mund të jenë perfekt në detyrën e tyre, ashtu si në fakt të gjithë do të dëshironin. E rëndësishme është që të ekzistojë dëshira e mirë dhe pasioni për ta bërë me ndershmëri dhe profesionalizëm këtë detyrë që jo pak ndikon në cilësinë e lojës. Për fat të mirë, mund të themi me plot gojë që muajt e fundi ka zhvillime pozitive në aspektin e rritjes së nivelit të përgjegjshmërisë në gjykimin e ndeshjeve në kampionatet tona kombëtare, thënë kjo nga aktorët kryesorë të Superligës meshkuj, Kategori e Parë femra apo dhe nga ekipet e moshave që po tregojnë dhe ata nivel të lartë loje dhe rivalitet. Këto tone pozitive të kohëve të fundit japin shpresë që më në fund gjykimi në basketboll po njeh një tjetër nivel si cilësi por dhe si përgjegjshmëri individuale nga trupa e gjykimit. Janë ndërmarrë një sërë hapash nga FSHB-ja që ky ndryshim të vazhdojë të ndodhë në drejtimin e duhur.
Rritja e numrit të arbitrave dhe e cilësisë së gjykimit të ndeshjeve, janë objektivat kryesore të FSHB-së, por veçanërisht të presidentit të saj, z.Avni Ponari dhe gjithashtu edhe të miat si sekretar i përgjithshëm i federatës. Së fundmi u lidhën urat e bashkëpunimit me Departamentin e Gjykimit në FIBA dhe pas vizitës së titullarit të këtij departamenti në Shqipëri, z.Davorin Nakiç, u arrit marrëveshja midis palëve në të cilën u specifikuan dhe shtyllat kryesore ku do të përqendrohet puna në të ardhmen. Z.Nakiç vuri theksin në ndërtimin e strategjisë për rekrutimin e arbitrave të rinj dhe rritjen e cilësisë së tyre përmes seminareve informuese me arbitra ndërkombëtarë shqiptarë. Këta të fundit ushtrojnë profesionin në vende të ndryshme të botës, me instruktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë të cilët do të jenë prezent në Shqipëri disa herë në vit duke zhvilluar klinika teorike dhe praktike me gjyqtarët tanë.
Një tjetër vendim i rëndësishëm i Departamentit të Gjykimit në FIBA ishte caktimi i njërit prej instruktorëve më të mirë ndërkombëtarë, z.Sinisa Herzeg, si personi përgjegjës për rritjen dhe zhvillimin e nivelit të gjykimit në Shqipëri dhe Kosovë. Z.Herzeg vizitoi vendin tonë gjatë ditëve të zhvillimit të Ligës Unike Lajthiza për meshkuj në qytetin e Vlorës 27-31 mars, ku dhe asistoi në disa ndeshje. Vlerësimet e tij për gjyqtarët tanë ishin shumë pozitive.
Ndikimi i këtij vlerësimi u duk në emërimet e këtyre gjyqtarëve në turnetë verore të FIBAs, ku Gilbert Hoxha do të gjykojë në dy të tillë, ndërsa gjyqtari më i ri ndërkombëtar i FSHB-së, Edison Gjoni, është vlerësuar maksimalisht duke u nominuar në tri turne, njëri prej të cilëve shumë i rëndësishëm për nga niveli, “Small Country” femra të rritura. Ky vlerësim është një hap shumë i madh cilësor në drejtim të nivelit të gjykimit në Shqipëri. Z.Herzeg la një sërë detyrash të cilat Federata Shqiptare e Basketbollit është e angazhuar maksimalisht për t’i zbatuar me përpikëri.
Krijimi i Departamentit të Gjykimit pranë federatës, ishte dhe detyra e parë që duhej plotësuar. Më pas, çdo aktivitet, seminar, trajnim me gjyqtarët do të duhet të pasqyrohet me detaje në “web”-in e këtij departamenti. Z.Nakiç dhe z.Herzeg shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për të qenë mbështetës dhe partnerë me strukturat përkatëse të FSHB-së në lidhje me çdo problematikë që ka të bëjë me gjykimin dhe gjyqtarët. Shumë shpejt ky sektor do të jetë pjesë e projekteve të përbashkëta të cilat do të sjellin një erë të re në gjykimin e ndeshjeve të kampionateve tona, objektiv që përveç FSHB-së, e kërkojnë me shumë dëshirë dhe insistim të gjitha shoqatat aderuese.
*Franko Bushati, Sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit