Të gjithë e kontestojnë skemën e Superiores, përveç atyre burrave që financojnë! Të gjithë s’e duan nën zë këtë format kampionati, përveç presidentëve që japin para! Dhe kjo është një fabul, sa e bukur, aq edhe intriguese… Të paktën për aq sa dëgjojmë publikisht të ngrihet si problematikë, presidentët nuk e shikojnë si hall a shqetësim!

Dhe ky në fakt, nuk është problem i vogël, por as shqetësim i madh, njëherësh! Presidentët nuk shprehen. Por votojnë! Siç edhe e kanë votuar! Media (thuajse e tëra) ka që vjet që ulëret e gërthet, për një skemë që nuk sjell asgjë, por që në fakt, në fund të ditës, si vjet, ashtu edhe këtë sezon, i dha të drejtë sportivisht ecurisë, pra, i dha të drejtë… Presidentit! Në kampionatin aktual ongoing (që po luhet) me këtë skemë që atakohet njësoj si ligji “7501”, në dy javë nga mbyllja nuk di të thotë askush asgjë…

Askush nuk di kush del kampion në 36 javë, askush nuk di ende kush del në vend të dytë, askush nuk përcakton kush futet në “Final 4”, e po kështu, kush zbret një kategori më poshtë apo kush do të luajë “play out”. Në një lloj mënyre, një sfidë e fituar në fushë, edhe pse me cenet e ndryshme që kanë shoqëruar garën këto javë, të tolerimeve, apo aleancave fluide në klube të veçanta. E megjithatë, ende asnjë nga presidentët nuk është shprehur dhe as ka ndërmend. Mbase nuk e duan, mbase në biseda informale private e kanë çuar mesazhin në lokacionin e duhur, por publikisht nuk e sulmojnë. Edhe për një arsye tjetër paralele: që për disa klube, kjo skemë konvenon në arritjen e ndonjë objektivi që në një garë normale me vetëm me 4 faza, siç ka qenë, nuk do ta kishin si opsion e shans.

I vetmi është shprehur president Duka. Nuk ka thënë që do të ndryshojë, sikundër nuk është prononcuar që do të rrijë ende ky format gare. Ka ftuar mediat të bëjnë durim, pasi, sipas tij, nën rreshta duhet pritur edhe ky “Final 4”. E nëse në aspektin sportiv gara është ende me shumë ekuacione, pra, funksionon e bën sens, në anën tjetër ajo që ka rënë, është termi financiar, për të cilin, për hir të së vërtetës, pikërisht për këtë arsye u prodhua një format i tillë. Të shtojë ca para më shumë në arkat e brishta të klubeve të Superiores. Kjo ishte e vetmja arsye që u ndërhy në emergjencë për të shtuar një opsion tjetër për disa euro më shumë në fund të 36 javëve.

Ky term financiar ka rënë apo nuk është ezauruar si projeksion ekonomik, për të legjitimuar ndryshimin e formatit. Për vitin e parë ra, për të dytin nuk guxoj ta them. Natyrisht, projeksionin financiar koshient që e prish edhe mungesa e Tiranës, ku zëri i tifozërisë dhe jo vetëm, rrëzoi shumë pritshmëri. Diku te 5600 bileta të shitura kishte vjet në finalen e shiut për “Final 4” Partizani-Egnatia. Mungesa e Tiranës, futja e Skënderbeut pa portë ende të hapur në Europë, Egnatia me jo një “bum” tifozerie bazike, çuan në një inkasim rutinor të shifrave të “Final 4”. Në pritje për të parë këtë vit, ku natyrisht mund të ketë ndonjë rritje të lehtë. Në zërin e të ardhurave nga shitja e biletave, se në aspektin marketues është tjetër histori, që kërkon ndoshta një kurim shumë më intensiv.

Për t’u kthyer aty ku nisëm: në të gjithë këtë ecuri dhe shembull për një sezon, sërish presidentët nuk u shprehën. Ata që, në fund të fundit, faktojnë dhe suportojnë garën, në një investim bazik sezonal. Duka pret, sepse i duhet të kalkulojë edhe atë që do të sjellë financiarisht ky sezon i dytë me këtë formulë. E, nëse rezulton sërish jashtë projeksionit financiar për të cilin edhe u “klonua”, atëherë i duhet domosdoshmërisht një vendimmarrje tjetër. Në fakt, me heshtjen e presidentëve (publikisht, se privatisht shqetësimi mund të jetë ngritur) vendimmarrja i mbetet sërish atij. Në dilemën mes pritshmërive sportive (të arritura) dhe atyre financiare (të paarritura), natyrisht peshon më shumë pjesa financiare.

Kjo është pak, por e sigurt. Ndërsa formula prodhon, firon në aspektin e tifozerisë (problem kombëtar, përjashto ndeshjet e Kombëtares), si dhe të aleancave që çojnë direkt në uljen e rendimentit dhe, për pasojë, në reflektim të rezultateve që nuk prishin punë për disa prej ekipeve. Sidoqoftë, deri më tani, askush nuk mund të thotë përcaktimin e verdikteve. Një përqindje fare të lehtë projeksioni sigurie ka vetëm Egnatia, si fituese e 36 javëve, edhe pse i duhet edhe një fitore me Skënderbeun këtë javë. Pra, mbetet për t’u parë edhe kjo. Presidentët nuk do të shprehen, edhe për faktin se për një pjesë të tyre një format i tillë u konvenon në raport me aq sa hedhin dhe atë që mund të arrijnë falë skemës. Kombinimi kampionat-kupë u lakua në një moment, por mbetet si element shqetësues. E, megjithatë, nëse skema ndryshon, ajo do të ndryshojë thjesht e vetëm sepse nuk arriti dot projeksionin ekonomik, jo atë garues e sportiv. Lindi për të shtuar sado pak financat e klubeve, dhe mund të shuhet për të vetmen arsye që kjo tentativë rezultoi jo efikase.

Përpos faktit që minimalisht rekomandimi i UEFA-s kërkon 3 sezone aplikim të formatit. Dy janë kryer thuajse. Por, përtej kësaj, ajo që mbetet ende njësoj është heshtja presidenciale për të cilët edhe u server kjo gjë. Kjo nuk nënkupton rekomandim për polemikë të madhe, por minimalisht një shprehje interesi për të riparë termat e një formati që vetëm ata nuk e kontestojnë. Natyrisht autogol nuk mund të bëjnë, por fuqinë propozuese e kanë dhe nuk e shfrytëzojnë. E pa fuqinë propozuese nuk mund të kenë atë vendimmarrëse…