Futbolli humbi nderin kur Vllaznia, ekipi i qytetit ku lindi futbolli, puthi për herë të fundit tokën e skuadrave të mëdha, për t’iu bashkuar një kampionati të panjohur për të, Kategorisë së Parë.

Por paska edhe më keq se kaq. Shkodra humbet arsyen, ndoshta humbet kurorën e merituar ndër vite, atë të shpirtit kavalieresk, kur dëgjon që një tjetër trajner, Rudi Piraniqi, është kërcënuar me jetë në emër të padrejtësive që ndodhin në futbollin e fëmijëve.

Çfarë skeme: për turp futbolli i burrave, për frikë jete… futbolli i fëmijëve!

Duket e pabesueshme, por ai që shfaqet me petkun e agresorit, nuk është më shumë se një prind fëmije.

Një prind, që nëse ka pasur fatin të emancipohet nga loja me top në qytetin-djep, kur do të ketë qenë i ri, me siguri ka duartrokitur kundërshtarin sapo ka fituar me meritë ndaj tyre.

Apo ndoshta ka hequr kapelën më shumë për futbollistët e talentuar sesa për ata që ushtronin forcë mbi topin, madje edhe mbi kundërshtarin. Duket si një mallkim në qytetin e gabuar kjo që po ndodh kohët e fundit në Shkodër.

Rasti i dytë, pas atij me trajnerin Nesti Gjoka, por zemra shpon më shumë kur dëgjon dhe përjeton ditën e hokubetit, kur në emër të futbollit “modern”, besohet se mjafton thika apo forca për të zbritur në fushë, duke u privuar nga moda talenti i Biza-ve shkodranë.

Mjerë ai që e beson këtë blasfemi mjerane, megjithëse koha punon më shumë për të pavërtetën sesa për të vërtetën.

Doni një fakt spektakolar? Shkodra humbi ekipin që kishte lidhur përjetë zemrën dhe gënjeshtra që dëgjon përditë ka vetëm një të vërtetë: vlen afro 1, 2 miliardë lekë, aq sa u babëzitën gjatë sezonit, nga të gjithë llojet e lojtarëve, ata të fushës e të bashkisë…/panorama-sport/