Kush është skuadra e femrave që parakaloi gjithë meshkujt që në këto 30 vite nuk u sollën kurrë si burra?
Që në Shqipëri, jetë e mot, pavarësisht se burrat përveçse kuvendonin, hanin e pinin, bënin si krye-familjarë, gratë ishin ato që pa u ndjerë nuk bënin vetëm ligjin, por dhe e zbatonin atë, kjo nuk është vënë kurrë në dyshim. Përtej patriarkalizmit që ndonjëherë e kemi trumbetuar me një krenari groteske, thellë-thellë të gjithë ata, burrat, kur futeshin brenda shptëisë, u faleshin si shpendët e zbutura përpara, përballë e anash grave.
Sot e këësaj dite dëgjon rëndom lart e poshtë, burra që kanë frikë gratë. Dhe thonë që jo vetëm në Shqipëri. Në këtë mentalitet ku burri bënte burrin për sy e faqe e gruaja komandonte në heshtje, ka pasur gjithnjë një “ishull” ku gratë nuk duhet të hynin kurrë. Futbolli? Ai ka qenë gjithnjë i burrave.
Kur Lazer Matia afro 10 vite më parë vendosi që të themelonte skuadrën e femrave të Vllaznisë, në Shkodër, e njohur më shumë për shpotitë në situata të tilla, filluan romuzet e para. Por ai i kishte idetë e qarta. Lart e poshtë në qytet të thonë që ambicie kishte të merrte ekipin e meshkujve, por ata që e kishin betoheshin se do ta çonin në Champions, ndërkohë që më pas ranë nga kategoria. Tjetër temë.
Lazri megjithëse e shikonin ndryshe – denjë për koncert në vitin 1936 – nuk i dëgjoi asnjëherë shpotitë e njerëzve dhe mesa duket edhe me këshillat e gruas vendosi: do bëj bioznes në futbollin e femrave. Do dhuroj edhe kënaqësi. Do fitoj edhe kupa. Do fitoj edhe para pse jo. Do shkoj edhe në Champions. Burrat që rrinin e kuvendonin nëpër kafene e shikonin çuditshëm. A bëhet burri grua? Lazri ama u mësoi që gratë janë burrat e shtëpisë. Si xhanëm ka ndodhur gjithnjë në këtë vendin tonë ku burrëria është aq e shenjtë sa gruaja nuk duhet të shohë e jo më të luajë futboll.
Vllaznia sot është në prag të kalimit në grupe në Chamnpions për femra dhe në stadium ishin mijëra vetë për ta parë kundër kampiones së Ukrainës. Ishin shumica burra, të dorëzuar tanimë përpara faktit që futbolli nuk është më vetëm pronë e tyre. Vllaznia e femrave është një leksion që në sport nuk ka rëndësi gjinia, por suksesi, kënaqësia dhe projekti që ofron.
Se me që ra fjala këta burrat e futbollit që kanë 30 vite që zihen si femra nëpër studio e tribuna, duhet të marrin shembull që përpara se t’u thonë grave mos dil nga shtëpia, të shohin se si gratë e Shkodrës luajnë futboll e i kanë parakaluar tanimë. A nuk është momenti për të thënë: gruaja është burri i shtëpisë?!
Leksioni që vjen nga Shkodra, e si mund të vinte nga diku tjetër, ku në Shkodër, sporti lindi në të gjithë dimensionet e tij – është i qartë. Kalon përtej futbollit. Përtej Ligës së Kampioneve. Është model emancipimi dhe suksesi. Futbolli nuk është më vetëm i burrave. Femrat mund ta shohin e madje dhe mund ta luajnë. Dhe talluni sa të doni me burrat, e bëkan më mirë se ta.