Vëmendja e të gjithëve ne është e përqendruar te Vllaznia dhe ecuria e saj. Sigurisht që në disa momente tifozët edhe mërziten me rezultatet e saj, por për mua duhet që ajo të pretendojë në të dy frontet, si në kampionat ashtu edhe në kupë. E them këtë gjë sepse ekipet rinale nuk janë më lart se Vllaznia.

Ajo që duhet, është dhënia e maksimumit nga futbollistët të cilët përzgjidhen nga stafi teknik për të zbritur në fushën e lojës. Ata duhet të shfaqin vlerat e tyre të vërteta dhe t’i japin fund sa më parë oshilacioneve të krijuara deri tani.

Kemi parë në fushë një Vllazni si ajo në ndeshjen e fundit ndaj Erzenit, e cila prodhoi lojë, por nuk arriti dot të finalizonte, pavarësisht golit të shënuar nga Mala dhe të anulluar padrejtësisht nga arbitri. Repartet duhet të rrisin efikasitetin, duhet të shfrytëzohet më tepër loja në krahë dhe repartet të jenë unikë në veprimet me njëri- tjetrin..

E përsëris edhe njëherë, asnjë ekip që pretendon titullin dhe zonën e Europës, nuk e ka më të mirë grupin e lojtarëve se ai i Vllaznisë. Madje shkodranët bënë një goditje shumë të rëndësishme në merkaton e janarit duke marrë Balajn, ndësa ekipet e tjera larguan lojtarë cilësorë.

Vllaznia duhet të punojë fort për të arritur objektivin e saj të këtij sezoni dhe më pas të kërkojë të rregullojë diçka edhe në marketingun e shitjes së lojtarëve, aspekt në të cilin klubi ka dështuar në vitet e fundit duke patur zero lekë të arkëtuara nga shitja e tyre.

Klubi Vllaznia duhet të rregullojë diçka edhe në në marëdhëniet me tifozët e zjarrtë shkodranë, e për këtë duhet të fitojë medoemos që në ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë ditën e martë në “Loro Boriçi” ndaj Kukësit. Tifozët duan fitore, por edhe lojë të bukur sepse ndryshe të kthejnë shpinën.

Në fund dua ta them edhe njëherë tjetër, Vllaznia i ka të gjitha kushtet që të jetë kampione këtë vit. Duhet të luajë pa presion. Ne po presim, shpresojm që ajo të bëjë më të mirën në të dy frontet dhe të gjithë sëbashku të bëjnë më të mirën për këtë vit.