Menduam se “ëndrra” e keqe me Erzenin mori fund dhe se Vllaznia do ishte një tjetër pas dy fitoreve rradhazi me Kukësin dhe Tiranën, por nuk ndodhi ashtu. Dje ndaj Egnatias, kuqeblutë zhvilluan një 90-minutësh tejet të dobët dhe zhgënjyes.
Të mendosh se përballë ishte Egnatia, një ekip i ndërtuar tërësisht në merkaton e verës, keqardhja është edhe më e madhe për shkodranët. Me kureshtje kemi pritur orën 15:00 të së shtunës me mendimin se tashmë, të besuarit e Josës do vijonin trendin pozitiv të fitoreve, por nuk ndodhi ashtu.
Aktivizimi i Krujës, Vulajt dhe Aralicës nuk është se ndryshoi apo prodhoi diçka të re në pjesën e dytë. Një Vllazni e vakët që nuk prodhon fare lojë. Ekipi nuk lidhet mes reparteve, gjë e cila sjell edhe atë dështim.
Nuk më shqetëson humbja në Rrogozhinë, sepse fundja luhet në fushë kundërshtare dhe pranohet, por ajo lojë e pakuptimtë e Vllaznisë nuk falet. 11-futbollistë të çakorduar që nuk dinin nga shkonin dhe çfarë kërkonin.
Nga ana tjetër, një Egnatia racionale, e vendosur mirë në fushë dhe për 20-minutat e para, trajneri Tetova më shumë duket se studion kuqeblutë, për ta lënë më pas shpërthimin e ekipit në minutën e 22-të e në vazhdim.
Në fakt, pritëm të kundërtën në këtë ndeshje. Pritëm të ishte Vllaznia ajo që do diktonte lojën dhe do gjente golin, sepse fillimisht edhe Egnatia më shumë ishte përqëndruar në mesin e fushës dhe kishte një vëmendje të madhe në mbrojtje. Megjithatë, që pas shënimit të dy golave, vendasit mbajtën ritmin e lojës, teksa avancuan edhe më shumë drejt mbrojtjes kuqeblu.
Poashtu në pjesën e dytë, tentojnë dhe arrijnë ta thyejnë mbrojtjen, jo njëherë por disa herë, teksa shënuan edhe golin e tretë. Nga ana tjetër, Josa mendon të freskojë ekipin e tij dhe bën disa zëvendësime të mundshme, që në vend të rigjallëronin lojën e Vllaznisë, ndodh e kundërta. Bie edhe më shumë tempi i miqve nga Shkodra.
Mesfusha pothuajse nuk funksionon fare dhe këtë e ndjen edhe sulmi që nuk ka topat e duhur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja ndjehet më e kërcënuara dhe porta është shënjestër e herëpashershme e vendasve.
Ndeshja u mbyll me humbje me një Vllazni që i përulet ekipit simpatik të Egnatias e poashtu edhe ish-futbollistëve të saj, si Sherri, Fangaj, Malota apo edhe drejtorit Shtubina.
Kuqeblutë pas katër ndeshjesh kanë vetëm gjashtë pikë. Një skuadër që është shumë larg pretendimeve, qoftë me lojë, ashtu edhe me rezultate. Shkodranët duhet të kenë kujdes, pasi duket qartë që duhet një punë shumë më e madhe, të paktën minimalisht për të zënë një vend që të çon në Kupat e Europës.
Momentalisht, qoftë me lojën që po shfaq, ashtu edhe me rezultatet që Vllaznia po prodhon në fushën e lojës, titulli kampion është nga ato misionet e pamundura.
Maringlen ZHIVANI