Besëlidhja është ndalur sot në fushën e vet, nga skuadra debutuese Basania, teksa ka barazuar 1-1, ku të parët kaluan në avantazh miqtë në 61′ me anë të Shimajt, dhe barazoj shifrat David Marku në 82′, duke vijuar në një farë mënyre të luajë kundër vetes, dhe lënë pikë shumë të çmuara, madje në fushën e vet, të cilat do të vijë koha që do ti kërkojë, pa mundur t’i gjejë!

Me një llogari të thjeshtë ekipi lezhjan Besëlidhja deri tani ka lënë, 7 pikë, 5 prej të cilave në Lezhë (3 me Ilirinë 0-2 dhe 2 sot me Basanien 1-1), si dhe 2 në transfertë, 0-0 me Veleçikun.

Aktualusht Besëlidhja ndodhet në vendin e tretë me 14 pikë, tre larg vendit të parë që e mban Luzi dhe dy larg vendit të dytë, që e mban Sopoti, të cilat javën e ardhshme luajnë në transfertë, ndërsa lezhjanët në fushën e vet.

Kalendari i javës së ardhshme, na favorizon në letër dhe Besëlidhja mund të marrë tre pikë, por nëse luhet siç është luajtur përballë Basanies, dhe Veleçikut mund të ndodhë e kundërta.

Prandaj sa nuk është vonë, duhet një analizë e detajuar, për të ndaluar humbjen e pikëve, të paktën në Lezhë, e luftuar fort në transfertë për të marrë çfarë mund të merret, dhe kthyer ekipin në shinat e pretendimeve për në kategorinë e parë!

Për këtë mundësitë janë, por së pari për këtë, duhet të binden vetë lojtarët, të cilët nuk po e vlerësojnë sa dhe si duhet peshën e fanellës që mbajnë, pasi po luajnë pa nerv dhe grintë sportive, hera-herës mendjefregistë dhe pa përgjegjësinë e duhur, duke mos justifikuar besimin që ju kanë dhënë Presidenca dhe Stafi teknik.

E them me bindje se, sikur lojtarët të luajnë vetëm me 50%, të ritmit stërvitor, nuk do të kishim këto rezultate. Prandaj e ripërsëris, duhet një reflektim dhe kthesë e menjëhershme, sa nuk është vonë!
*Gazetar dhe komentator sportiv