Hej Mond i dashtun nëse po na sheh atje lart nga qielli, sot dua të them dy fjalë për ty!
Edmond Spatari, ose Mondi, tifozi i mrekullueshëm që nuk ka shkodran e tifoz shqiptar që nuk e njeh sot na dha lamtumirën e fundit për t’u bashkuar me Zotin!
Ky lajm i trishtë më tronditi edhe pse ne të gjithë ishim të përgatitur se Mondi po numëronte ditët e fundit të jetës. Ajo sëmundje dreqi bëri që në këtë fillim janari Mondi të mbyllte sytë.
Në sekondat e para kur mora vesh këtë lajm të kobshëm sytë u mbushën me lot por në të njëjtën kohë më erdhën në mendje me dhjetra e dhjetra histori të përjetuara me Mondin dhe shokët e tij në të gjitha stadiumet e Shqipërisë.
Sot të jesh tifoz nuk është edhe aq e vështirë. Rrugët janë të shtruara, stadiumet janë të rregulluar, klubet sistemojmë tifozët, policia është prezente ashtu siç entuziazmi apo egërsia e dikurshme tashmë ka rënë.
Në duart e Mondit, Tutit, Ndocit, Laros, Naimit, Rexhepit u rritën me qindra e pse jo mijëra tifozë të Vllaznisë të cilët u edukuan nga këta tifozë të mrekullueshëm. Tifozë që në natyrë nuk e kishin të shanin e të fyenin ekipet kundërshtare pa ndonjë shkak, apo të gjuanin me mjete të ndryshme ekipin kundërshtar.
Madje këta tifozë kur kundërshtari fitonte me meritë, qoftë edhe rivali i përjetshëm Tirana, na mësuan t’i duartrokasim si askund tjetër në stadiumet shqiptare. Një edukatë që sot mbase edhe nuk e kuptojnë.
Më kujtohet se si në Peqin në vitin 1997 udhëtuam rreth 50 tifozë të Vllaznisë dhe atje një nga të fortët e Peqinit doli me automatik përpara për të mos lejuar tifozët shkodran të futeshin në stadium. Urtësia e Mondit dhe e Tutit bënë që ne të futeshim në stadium duke ndjekur normalisht ndeshjen.
Asokohe isha vetëm 10 vjeç. “Ju mos flisni, se merremi ne”, tha Mondi bashkë me Tutin duke i dalë para kallashit e duke na hapur rrugën në stadium.
Më kujtohet se si në Durrës, një grup prej rreth 200 tifozësh qëndruam gati tre orë të mbyllur brenda stadiumit sepse durrsakët po prisnin jashtë të irrituar. U desh që shoferët e makinave me të cilat kishim ardhur të hiqnin targat por gjithsesi disa xhama makinash u thyen dhe ashtu udhëtuam deri në Shkodër.
Kur durrsakët erdhën në Shkodër, Mondi tha asnjë tifoz të mos preket, i doli në mbrojtje atyre. Kjo ishte madhështia e tij që e injektoi tek secili prej nesh.
Historitë janë të pafundme.
Mes armësh, plumbash e kërcënimesh, këta tifozë me në krye Mondin dhe Tutin nuk u ndalën asnjëherë për Vllazninë e tyre e këtë dashni të madhe e përcollën tek brezat me radhë. Këta tifozë që trashëguan nga brezi i mëparshëm, na bënë krenarë si dhe i dhanë atë emër që sot tifozët shkodran kanë në mbarë kombin shqiptar.
Më kujtohet se si Mondi shoqërohej në komisariate policie dhe hante shkopa gome në shpind pa asnjë lloj shkaku nga policë barkderra që nuk kishin as filloren, vetëm se brohoriste Vllaznia, Vllaznia, apo se çohej në këmbë për të bërë tifozllek.
Janë të pafundme rastet kur Mondi dhe këta tifozë të tjerë të Vllaznisë i dhuruan skuadrës nga jeta e tyre qindra orë duke udhëtuar pambarim edhe për 20 orë në ditë në ato vite kur rrugët ishin pa rrugë deri në skajet më të largëta të Shqipërisë.
Mondi përveçse merrte ushqimet për vete, zemra e tij ishte aq e madhe sa sigurohej të merrte edhe për fëmijët që mund të ishin në autobus duke i ndarë edhe me ata sepse e dinte fukarrallekun e disa prej këtyre fëmijëve.
Rroga e tij pastaj shkonte vetëm për flamuj gjigandë e shallë kuqeblu që i shpërndante edhe tek të tjerët. Sa herë që policia jashtë Shkodrës ja konfiskonte pa asnjë arsye, javën e ardhshme Mondi kishte në duar flamujt e tjerë gjigand. I qepte me aq kujdes e dashni vetëm për të treguar se shpirti i tij, kënaqësia më e madhe ishte Vllaznia!
Më kujtohet kur Vllaznia fitoi titullin kampion, për Mondin ashtu si për çdo tifoz tjetër shkodran nuk kishte kënaqësi më të madhe. Nëse gjithë të tjerët në darkë e mbyllën festën, Mondi e vijoi për një javë me radhë duke festuar pa pushim bashkë me miqtë etij! Për të ishte si një dasëm e madhe!
Vitet e fundit kur fati e deshi të bëhesha gazetar, sa herë na shihte bashkë me kolegët, kishte të njëjtat pyetje: He Senad, kush po vjen te Vllaznia. Më duket don me ik Sinani, s’di ke po marrin, kush me i ba golat. A thu dalim kampion këtë vit?
Kohët e fundit edhe pse i sëmurë keqas, Mondi ashtu me shkop duke çaluar e duke ecur shumë avash, ngrihej nga shtrati dhe vinte në stadium duke mos munguar në ndeshjet e skuadrës së tij të zemrës duke na treguar se Vllaznia për të është mbi gjithçka. Ashtu bëri deri në ditën që mbylli sytë, asgjë nuk e ndali. Në sytë e Mondit shihnim tifozin e vërtetë shkodran, një shembull model për çdo të ri. Shkodra humbi një qytetar, Vllaznia humbi tifozin më të mirë të saj, të gjithë ne humbëm një shok të vërtetë!
Kishte një ëndërr, ta shihte edhe njëherë Vllazninë kampione, peng që e mori me vete pashijuar titullin e dhjetë dhe yllin në fanelën kuqeblu, ngjyrat e zemrës së tij!
Mond i dashtun, sot nuk mund të them lamtumirë, as nuk mund të jap një ngushëllim sepse je dhe do mbetesh një frymëzim! E di që edhe nga atje lart gjithmonë do lutesh për Vllazninë! Qofsh mirë me Zotin!
Kujtimi yt është i përjetshëm! Ta duam Vllazninë si Mondi!