Futbolli duhet të kthehet te bashkitë. Jam dakord që të administrohen po nga këta administratorë që janë aktualisht, por duhet që të gjitha klubet të rikthehet nën mbikëqyrjen e bashkive dhe të financohen prej tyre. Ekonomia shqiptare kaq është dhe me ç’po shohim, kemi hyrë në një rrugë pa krye.

Nuk ka mundësi zhvillimi në kësi kushtesh dhe ka pak shanse që një presidenti a sponsori t’i teprojnë para për t’i hedhur në futboll. Janë disa probleme të njëpasnjëshme që duhet të fillojmë t’i zgjidhim sot. E vetmja gjë që po na ikën është koha. Të gjithë i dinë këto që unë përmend tani, por asnjë nuk e merr iniciativën që t’i zbatojë. FSHF duhet që t’i rikthejë të gjitha ekipet në bashki dhe këta të fundit t’i financojnë. Administratorë të jenë ata që kanë kontribuuar më shumë nga të gjithë, sepse kjo është më se normale.

Le të kalojmë prapë në gjysmë amatorë. Nëse buxheti do të jetë i bashkisë dhe administratorët duan të hedhin edhe ndonjë lek ekstra, akoma më mirë. Por, pjesën më të madhe ta ketë bashkia. Vetëm kështu mund të funksionohet. Këtu nuk diskutohet më aseti, por diskutohet do të kemi apo jo futboll… Të hapen dyert e stadiumit, të vijnë tifozë, futbollisti të bëhet futbollist dhe pastaj të mendohet për asetet.

Problemi fillestar është të kemi futboll për të parë, pasi nuk do të kemi ç’të shikojmë në të ardhmen me rrugën ku po ecim. Në këtë gjendje që jemi sot janë 5 ekipe që luajnë për diçka dhe 5 të tjera që luajnë për mbijetesë. Këtu nuk duhet të ndryshojë ligji për sportin, por mentaliteti dhe mënyra sesi duhet të sillemi. Mund të bësh një ligj, por sa efikas do të jetë? Këtu, ose do të hedhësh hapat mbi gurë për të dalë në asfalt, ose po bën një ligj që jemi në asfalt dhe po shkojmë të shkelim mbi gurë… Cila është Shqipëria? Kjo është Shqipëria, pra! Shqipërinë nuk e rregullon ligji, por mentaliteti. Nuk është zgjidhje ligji. Kjo kërkon një revolucion të madh…

“HEMORRAGJIA”

Këtu ka hemorragji vendësish. Bëni një bilanc se sa ikin nga Shqipëria në Itali apo Gjermani? Duke parë këtë, është shumë e vështirë që të kemi të rinj të talentuar në ekipet tona. Duhet të frenojmë këtë rrjedhje dhe pastaj të mendojmë që të kemi lojtarë në ekipet tona.

Rrjedhja është shumë e madhe dhe asnjë nuk e vë dorën në plagë. Të shikoni çfarë bëhet në verë? Gjithë djemtë që pretendojnë se dinë pak futboll, prindërit i çojnë jashtë për provë. Kjo duhet të ndalohet me një politikë që mund të bëhet. Çdo lojtar që evidentohet këtu si pak i talentuar, ikën në provë jashtë dhe nuk e ka problem se ku do të luajë, por vetëm të ikë që këtej.

Në verë sa fillojnë pushimet, çdo prind që shikon se fëmija e tij di të luajë futboll, e merr për qafe dhe çon përtej kufirit. E provon kudo që të jetë, në kategori të 6-të, 7-të, vetëm të ikë nga këtu. Por, a do e vëmë ndonjëherë trurin në punë? Kur ndodh kjo, logjikisht nuk mund të kemi as prurje në ekipet e para. Atëherë, si do ta zhvillojmë futbollin tonë?

ARSYET

Janë disa arsye dhe po t’i analizojmë një e nga një, dalim në përfundimin se, nëse fillojmë të punojmë sot, për 50 vjet do të kemi futboll. E para është akademia. Në akademitë tona, sot nuk po shikohet cilësia, por masiviteti. Kjo ndodh, pasi të gjithë trajnerët e akademive mendojnë që të çojnë rrogën në shtëpi. Cilësia mbetet pas. E dyta, ka një rrjedhje të jashtëzakonshme të të rinjve.

Ajo që përmenda më lart: të gjithë duan të ikin jashtë. E treta, forma apo mënyra sesi zhvillohen kampionatet e paratërinjve dhe të rinjve. Në pamje të parë, aty tregohet që bëhet luftë. Luftë për të kapur një klasifikim të mirë, me idenë që trajneri të tregojë se e ka merituar. Paçka se duhet të ndodhë e kundërta dhe këto ndeshje të shërbejnë për të dhënë mesazhin e të mësuarit futboll.

Tjetra është edhe funksionimi i ekipeve të para. Sot pretendohet që ka kampionat, por kampionati shqiptar është me 3-4 ekipe, pasi të tjerat për shumë arsye nuk janë në kampionat brenda, mendojnë gjëra të tjera. Nuk e di çfarë futbolli kemi ne, kur në 10 ekipe 4-5 luajnë për trofe, të tjerat mendojnë për të ekzistuar. Këtu pretendohet se u bë “Liga Profesioniste” dhe përfaqësuesi i FSHF-se vjen në Ligën Profesioniste, por gjëja e parë që duhet të bënte është ndërprerja e kontratës së transmetimit të ndeshjeve dhe t’ia linte në dorë Ligës Profesioniste që të fillonte dhe të mendonte për buxhetin e saj. Çfarë ndihme duhet t’i japë FSHF kësaj lige?

Në 10 milionë euro që merr në katër vjet, në dy sezone europiane, çfarë ndihme mund t’i japë vallë? FSHF duhet të bëjë përpjekje që sponsorët e sotëm të lehtësohen nga Tatimet. Duke u lehtësuar ata nga Tatimet, diçka më pas mund t’i shkojë edhe Ligës. Por, që të fillojnë të gjitha këto gjëra, duhet që të na rriten fëmijët me cilësi. Duhet që të nxjerrim më së pari elementë të mirë dhe jo ta kemi mendjen vetëm se kush e fiton kampionatin. Këta që sot administrojnë klubet duhet të balancojnë të ardhurat dhe më pas të shohim nëse mundet që në një të ardhme 10 apo 15-vjeçare të kenë buxhetet për të luftuar për objektiva madhorë.

Në një proces normal, unë besoj se do të duhen edhe 50 vjet që të arrijmë aty ku duhet, por minimalisht të mendojmë që futbolli të mos bëhet më keq se ç’është. Sepse, për fat të keq, siç ka nisur kjo punë, në futbollin tonë do të luajnë gagaçë e doracë. Të më falin këta njerëz që janë kështu, por drejt kësaj po shkon. Këtu po shuhet çdo gjë.
*Opinioni eshte botuar ne gazeten “Panorama Sport”