U mërzitët, ëëë! Të tretët në grupin e Ligës së Kombeve, pas Izraelit dhe Islandës… Shikoni shortin e sotëm të kualifikueseve të “Euo 2024”, shikoni renditjen e kombëtareve që ranë në grupin tonë (Polonia, Republika Ceke, Moldavia dhe Ishujt Faroe. A mund të themi se do të kualifikohemi, kur dy skuadrat e para në grup e kanë këtë privilegj?

Ku janë ato kritikët e zellshëm që thonë se kombëtarja nuk ka identitet, se nuk po jep atë që presin shqiptarët. Kë do të likujdojmë ne, Poloninë dhe Republikën Ceke? A ju duken kundërshtarë të lehtë? Poloninë nuk kemi shumë që e patëm në grup, na eliminoi në rrugën kualifikuese për Botërorin e Katarit. I mbani mend dy humbjet me të, që na dogjën shumë? Po Cekia, si ju duket? Si thoni, a kemi shanse të padiskutueshme (si gjithmonë) për t’u kualifikuar në grup?

Kujtojmë se në finalet e “Euro 2024” do të jenë 24 skuadra, sa shanse ka Shqipëria të jetë pjesë e “Gjermania 2024”? është e vërtetë se dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, edicioni që kaloi, nuk ishin në lartësinë e duhur. Ama, mos e lidhni kombëtaren me një emër, qoftë ai edhe trajneri Reja, mos e bëni kombëtaren pjesë të inatit apo militantizmit tuaj. Natyrisht, ka gjëra që duhen sheshuar në kampin kuqezi, nuk mund të bëhen më gabime që të mbajmë në stol lojtarë të tillë si Asllani apo Broja.

Trajneri Reja, nëse rikonfirmohet në stolin kuqezi, nuk mund ta vazhdojë luftën deklarative mediatike me Brojën, se “nuk është ende gati, se është individualist, se Napolit nuk i bën punë etj”. Kjo gjë nuk mund të ekzistojë më në kombëtare, sepse Rejën mund ta kemi edhe për dy miqësoret e radhës, më e pakta, ndërsa Broja është shtylla e formacionit kuqezi për më shumë se dekadën e ardhshme. Një lojtar që luan në Premier League, te Chelsea, apo një tjetër që është pjesë e Interit, nuk mund të dyshohen kurrë, qoftë edhe nga trajneri Reja.

Eksperienca është gjë e duhur në futboll, gjë që identifikohet në vitet dhe skuadrat që ka drejtuar Reja, por mbetja peng i së vjetrës, mos përshtatja me modernen, qoftë edhe në skema taktike, nuk duhet ta penalizojë më kombëtaren. Trajneri duhet të ndërtojë strategjinë në funksion të grupit të lojtarëve që ka në dispozicion, që të marrë më të mirën prej tyre, jo e kundërta. Të sakrifikohen lojtarë cilësorë për t’iu përshtatur skemës “laj e thaj”, pra të vetme, që përdor trajneri.

Kësaj i thonë për një plesht të djegësh jorganin, nuk është aspak produktive. Të tilla gabime jam i sigurt se do të rregullohen me ndërhyrjen e presidentit Duka. Fushata kualifikuese e “Euro 2024” duhet të fillojë pa fërkime të tilla, pa drurë të shtrembër në radhët e kuqezinjve, por me bashkim dhe kohezion të plotë të cdo faktori.

Duka me siguri do ta peshojë shumë cështjen e trajnerit të kombëtares, me dilemën të mbajë Rejën apo ta zëvendësojë me dikë tjetër. Nëse deri tani kemi pasur vetëm trajnerë të huaj, ndoshta mund të hidhet një sy edhe nga specialistët shqiptarë. Ballkani i Kosovës është një realitet i bukur në Kupat e Europës. Me siguri, meritë e një strategu të sprovuar si Ilir Daja, prandaj mund të besohet tashmë te të tillë potenciale që i kemi brenda nesh. Shqipëria ka ndryshuar, edhe në trajning, nuk është më ajo që mendojnë njerëzit. Që mbas shkuarjes në Europianin e Francës, nuk është se kemi nxjerrë gjë në dritë me trajnerët e huaj, duke nisur nga De Biasi, Panucci dhe Reja.

Sidoqoftë, ky është futbolli, kjo është kombëtarja. Shihni renditjen në FIFA të secilës kombëtare të grupit tonë eliminator të “Euro 2024” dhe krijoni pritshmëritë përkatëse. Të mos fluturojmë, por t’i mbështesim kuqezinjtë në të mirë e të keq. Le t’i japim të gjithë një dorë, sepse kombëtarja është krenaria mbarëshqiptare, të mos kërkojmë gjilpërën në kashtë, sepse jemi Shqipëria dhe jo Franca apo Anglia. Mjaft inatit shqiptar mesjetar kundër federatës për të nxirë gjithcka, për të sharë gjithcka, për të vrarë shpresën kuqezi. Forca Shqipëria, të urojmë të shkosh në Europianin e Gjermanisë më 2024!