Kombëtarja jonë kuqezi e mbylli Europianin e Gjermanisë me dinjitet, duke dhënë më të mirën e kapacitetit të vet (sikurse e nënvizoi edhe Lothar Matthäus), sidomos në dy ndeshjet e fundit në grup.

Ndoshta ndaj Italisë nuk e kishim vigjilencën në shkallën e duhur, por djemtë kuqezinj nuk mund të kritikohen. Ata dhanë gjithçka, brenda mundësive të tyre. Të kërkojmë llogari ndaj tyre sikurse të ishin Spanja, Italia, Anglia apo Gjermania është tej çdo kuti matës sportiv, por edhe logjik.

Ne jemi Shqipëria, sigurisht që kombëtarja përfaqëson jo vetëm shtetin zyrtar, por mbi 10 milionë shqiptarë në mbarë botën. E tillë është edhe “gjeografia” e lojtarëve që bëjnë pjesë aktualisht në kombëtare.

Saktësisht, në grupin e thirrur për “Euro 2024”, ishin lojtarë të lindur në 9 shtete: Shqipëri (tetë), Zvicër (pesë), Maqedoni (tre), Kosovë (tre), Gjermani (dy), Greqi (dy) dhe një në Itali, Angli e Spanjë.

Rasti spanjoll është ai i Iván Balliut, mbrojtësit të krahut të Rayo Vallecano. Meritë e padiskutueshme kjo e presidentit Duka, që ka ndërtuar një institucion modern si FSHF, i cili monitoron çdo talent me rrënjë shqiptare, kudo që luan dhe jeton. Algoritmi i stafit teknik kuqezi, i implementuar nga video-analisti Rosi, është një risi e jashtëzakonshme, të cilës i referoheshin edhe rivalët tanë të grupit si Spanja, Italia etj. Infrastruktura sportive, në të cilën përgatitet kombëtarja tashmë për ndeshjet, është mbresëlënëse.

“Shtëpia e futbollit”, një nga kryeveprat e presidencës Duka, ofron komoditetin maksimal në çdo drejtim për rezultate sa më pozitive. Të mos flasim pastaj për “Arena Kombëtare”, një mrekulli më vete, që bashkë me kombëtaren kuqezi mund t’i marrim metaforikisht si “dy kokat e shqiponjës”.

Meriton përgëzime edhe trajneri Sylvinho, i cili zgjoi “luanin e përgjumur” brenda kuqezinjve, pikasi Jasir Asanin në Korenë e Jugut, e mori në kombëtare dhe ia shpërbleu me super golat e tij në fushatën eliminatore. Vendosëm me të një rekord historik, u kualifikuam në “Euro 2024” si të parët e grupit eliminator. Këto janë fakte, të cilat nuk mund të errësohen nga cilido nihilist, që nëpër ekrane bën “profesorin”, jep mend “majë krahu”, i kërkon llogari kombëtares kuqezi sikurse të ishte Anglia apo Spanja e yjeve që vlejnë 100 e më shumë milionë euro secili.

A ka vend për përmirësim edhe në punën e Sylvinhos? Patjetër që po, sepse kush punon edhe gabon. Ai që nuk bën asgjë, që flet si e “ëma e Zeqos majë tthanës”, nga studiot me ajër të kondicionuar, e ka të lehtë të japë mend e të kritikojë këdo e për gjithçka. Çmenduri duken zërat për largimin e Sylvinho, kur ai e përmbushi objektivin e vet, kualifikimin në “Euro 2024”.

Çfarë prisnin kritizerët e pakorigjueshëm prej tij; të dilte i pari në “grupin e ferrit”, duke lënë pas Spanjën, Italinë dhe Kroacinë? Ky Europian duhet të shërbejë si eksperiencë për garat në vazhdim, për të qenë më vigjilentë në tërësinë e ndeshjes, të mos fikemi hera-herës, si kur pësuam dy gola brenda katër minutave ndaj Kroacisë, të besojmë më shumë te vetja se mund të sfidojmë edhe emra të mëdhenj si Italia apo Spanja.

Sa për tifozët kuqezinj, ata ishin të mrekullueshëm. Si më objektivët, ata nuk kanë pasur asnjë kritikë ndaj djemve të kombëtares, stafit teknik, sepse përtej dëshirës së madhe për kualifikim në 1/8 finale, i dinë edhe limitet tona. Nëse ata e fituan Europianin e tyre në qytetet dhe stadiumet ku i luajti tri ndeshjet e grupit B kombëtarja jonë, kjo nuk nënkupton detyrimisht se duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe ekipi në fushën e blertë.

Mundësitë tona këto janë, aq më tepër në grupin më të vështirë të këtij Europiani. Objektivi u arrit me kualifikimin në “Euro 2024”, gjithçka tjetër shtesë do të ishte “qershia mbi tortë”.

U larguam me kokën lart nga Gjermania, më të fortë dhe më të pjekur se kurrë. Tashmë duhet ta përdorim këtë “karburant” europian në Ligën e Kombeve dhe kualifikueset e Botërorit 2026. Natyrisht, me presidentin Duka në “kullën e regjisë”, që e ka ngritur kombëtaren kuqezi në këto nivele, sa presim prej saj të kalojë ture edhe në Kampionatin Europian; me Sylvinho dhe stafin e tij teknik në evoluim të mëtejshëm, pa bërë si “Penelopa”, thur e shthur, sikurse kërkojnë disa ekraneve, nisjen nga e para me një trajner të ri.

Grupi i lojtarëve kuqezinj, i formësuar nga Sylvinho, është me shumë potencial, tashmë nevojitet “latimi” i tij, me objektiv të padiskutueshëm kualifikimin në Botërorin e ardhshëm. Gjithçka tjetër do të ishte vetëvrasje, sidomos me ndryshimin e stafit teknik, teksa ndeshjet e Ligës së Kombeve janë te dera, nisin në shtator. Si mund të vëmë në diskutim këtë staf teknik kuqezi, që ka treguar përkushtim maksimal, ka rezonuar qartë ndjenjën e krenarisë dhe përkatësisë shqiptare, i cili punon përditë nga 8 orë, gjithë javën, si kurrë më parë, jo me korespondencë, si dikur.

Duka është me kredencialet e legjendës tashmë. Me dy kualifikime në Kampionatin Europian, i ka bërë të lumtur të gjithë shqiptarët. Për ata që kërkojnë gjilpërën në kashtë vlen më së miri shprehja: zagarët le të lehin, karvani ecën përpara…