Teuta na habiti me përmbysjen 3-0 në Andorrë, sepse na pati zhgënjyer një javë përpara. Komplimenta lojtarëve durrsakë dhe dyshes Martini-Starova, bashkë me presidentin hasanbelliu. Fundja ato janë në turin e tretë të “Conference League” dhe kaq mjafton për t’ua mbyllur gojën kritikëve.

Vllaznia u eliminua me kokën lart. Dy shtylla e ndalën në rrugën drejt përmbysjes së shumëdëshiruar, por që mbeti në tentativë. Trajneri Brdaric i bëri llogaritë jo mirë, kur deklaroi një javë përpara, pas humbjes minimale në Qipro, se ishte 100 për qind i sigurt për kualifikimin në Shkodër. Ndoshta kjo eufori deklarative e trajnerit nuk i bëri mirë skuadrës, që e shtyrë edhe nga tifozët e shumtë e të jashtëzakonshëm në Shkodër, vuajtën njëlloj presioni psikologjik.

Sidoqoftë, dy ture në Kupat e Europës janë vërtet shumë dhe për t’u përshëndetur, sepse kuqeblutë kishin një dekadë që nuk e kalonin “kufirin” zyrtar. Mbi të gjitha, drejtuesit dhe stafi teknik kanë siguruar vazhdimësinë e një skuadre solide dhe pretendente për sezonin e ri në Superiore. Kjo vlen më shumë se gjithçka tjetër.

Krejt ndryshe mund të thuhet për Partizanin, që humbi dy ndeshjet kundër Bazelit. Dihej se çfarë kundërshtari kishte përballë skuadra e Dajës, por ndoshta të ashtuquajturin gol nderi mund t’ia kishin bërë dhuratë tifozëve, përkundrejut pesë golave të pësuar. E mirëkuptoj profesionalisht trajnerin Daja kur thotë se ka mbetur i kënaqur nga sakrifica e lojtarëve të tij, për të mos i dekurajuar ata, por për opinionin sportiv çfarë kuptimi ka kjo deklaratë?!

Krenar që pësove 5 gola dhe nuk shënove asnjë! Koha e paktë në dispozicion për të ndërtuar skuadrën nuk është diçka e re te Partizani. E kam nënvizuar edhe në një shkrim të mëparshëm: thurja dhe shthurja e ekipit, si në mitin e Penelopës, është kthyer në traditë të keqe te “demat e kuq”. Mirë thoshte një tifoz: Si mund të ndërtosh një Partizan kompetitiv, kur heq 10 lojtarë dhe merr 10 lojtarë çdo kapërcyell sezonesh. Ky është realisht Partizani i këtyre viteve.

Për keqardhje, sepse futbolli kërkon vijimësi. Dakord kur shet disa lojtarë dhe rikuperon financa të shëndosha për t’i zëvendësuar me të tjerë po kaq të mirë, por Partizani ka larguar edhe trajnerin kampion në fund të sezonit. Pra, kjo është një sëmundje menaxheriale e drejtuesve të klubit, që duhet kuruar se s’bën. Ndryshe, cilido trajner të ishte, thjesht do të bënte “stan me lepuj”, si i thonë fjalës.

Në fund, sepse ëmbëlsira lihet përherë kështu: Laçi na bëri krenarë të gjithëve, jo vetëm tifozët e vet. Dy ndeshje epike ndaj rumunëve të Universitatea Craiova për skuadrën e Shpëtim Duros. Drejtim me kompetencë dhe profesionalizëm prej tij i kurbinasve, që tashmë janë realitet imponues jo vetëm në Superiore, por edhe Europë.

Meritë e padiskutueshme e presidentit Pashk Laska, që pa bujë të madhe mediatike ka ditur ta mbajë skuadrën e tij në nivele të larta. Nëse më lart evidentuam sëmundjen e Partizanit, krejt e kundërta ndodh me kurbinasit. Elementët e spikatur, sidomos ato vendës, që janë shtylla kurrizore e formacionit, nuk preken. Mjafton t’ju kujtoj një shembull. Në mesfushën e kurbinasve luan prej 5 vitesh një lojtar shumë i talentuar, që ndoshta duhet të kishte rënë edhe në sytë e trajnerit të kombëtares, Regi Lushkja.

Ai dhe mjaft të tjerë janë veteranë te Laçi, sigurojnë vazhdimësinë në çdo drejtim të ekipit, e mbajnë në nivele të larta. Vizion i presidencës kurbinase, që preferon të sakrifikojë me ndonjë shitje të bujshme si ajo e Myrto Uzunit, por të ruajë pjesën kryesore të ekipit. Sa për financat, ato gjenerohen duke kaluar dy apo tri ture në Europë. Dhe tani do të ketë shansin të luajë kundër gjigantëve të Anderlecht. Me siguri, këtë gjë do ta kishin zili edhe krejt të tjerët, sepse ndodh rrallë për një ekip shqiptar.