Nga Ylli Aga
Një mandat i ri për Armando Dukën. Familja e futbollit, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, me maxhorancë absolute i ka besuar edhe për një katër vjeçar, nr 1 të institucionit më të rëndësishëm sportive në vendin tonë. Me preferencën e 39 nga 43 anëtarëve pjesëmarrës në këtë asamble, nga të cilat 37 të vlefshme, është përmbyllur një nga proceset më të vështira zgjedhore të zhvilluara në institucionet tona sportive.
Një proces që është ballafaquar me presione nga më të ndryshmet, me procese të shumta gjyqësore dhe akuza nga më të ndryshmet, por që ka konfirmuar unitetin në maxhorancë absolute të familjes së futbollit dhe ka parë të shprehë vullnetin e lirë për t’i besuar Armando Dukës edhe një mandat katër vjeçar, për të cilin pritshmëritë janë akoma më të mëdha.
Votimi i Asamblesë Zgjedhore ishte testi më i mirë i pjekurisë së përfaqësuesve të familjes së futbollit, në raport me emocionet e garës, besnikërisë ndaj pavarësisë së krijuar nga federata ndaj çdo ndërhyrjeje të huaj, bilancit të arritjeve në planin sportiv, statusit ligjor, strukturës administrative, panoramës në infrastrukturë dhe konsolidimit financiar.
Të gjitha së bashku e kanë bërë federatën e futbollit një nga institucionet më të organizuara në vend dhe strehën mikpritëse të secilit prej anëtarëve të saj.
Me përmbylljen e procesit të votimit, konfirmimit në detyrë të Presidentit Duka dhe anëtarëve të rinj të Komitetit Ekzekutiv, sfidat për futbollin tonë janë më të mëdha dhe me interesa më të gjëra. Në krye të listës së prioriteteve do të jetë gara e ekipit tonë kombëtar në sfidat e afërta në Nations League dhe kualifikueset e EURO 2024, ku objektivi i vetëm do të jetë një biletë për në fazën finale.
Gjithashtu me kushtet e krijuara pritshmëritë janë maksimale për të gjitha ekipet e moshave, por edhe në futbollin e femrave. Një tjetër provë e rëndësishme për Presidentin, Komitetin Ekzekutiv dhe adminitsratën e federatës do të jetë përmbyllja e disa prej investimeve madhore në infratrukturë, si shtëpia e futbollit, disa nga stadiumet kryesore në vend dhe zgjerimi me të paktën 100 fusha të reja stërvitore në të gjithë vendin, që do të mundësojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të praktikuesve, si dhe edukimin me vlerat më të mira që ky sport përfaqëson.
Beteja e fituar për pavarësinë e institucionit, uniteti në maxhorancë absolute i anëtarëve të familjes së futbollit, si dhe vota e tyre do të jenë themeli dhe promotori për ngritjen në nivele më të larta të sportit numër 1 në vend, si një nga simbolet më përbashkuese të të gjithë shqiptarëve, kudo që ato ndodhen.