Nga Gerti Çarçani
Shteti foli! Këtë radhë me lekë, me shifra, dhe me zë zyrtar. Industria më e rëndë në masivizimin e sportit, FSHF, sërish mbetet FULL-BOARD, jashtë vëmendjes së financimit për futbollin, edhe pse zyrtarisht prej muajsh, vetë kreu Duka e shtroi si një domosdoshmëri prezencën në buxhet të shtetit për sportet, edhe të FSHF. Komisioni I ndarjes së parave në Ministri, përtej “vëmendjes” së ministres zgjodhi të lërë sërish jashtë financimit, institucionin që prodhon 570 ndeshje në javë, aq sa bashkë mbi 20 federatat olimpike dhe jo olimpike të financuara nga shteti nuk prodhojnë të gjitha bashkë sport për 10 vite në nivele të tilla.
Mbi 1.6 miliardë lekë të ndara për 2023-shin, e ku natyrisht, futbolli mbeti sërish jashtë “borderosë-shtet”, me një bilanc tejet të qartë:
570 ndeshje në javë nga superiorja e deri poshtë te fëmijët djem e vajza.
10 turne zyrtarë të UEFA-s për vitin 2023!
Finale Conference League që masturboi një politikë të tërë!
Financim direct të futbollit të femrave, nga qendra në burim! Të tjerat I gjeni te “Futbolli për Kombin”
Të gjitha këto përfshijnë katër nga 5 kriteret e aplikimit, për të përfituar nga fondi grant.
E për të cilat, Saga e ndarjes së lekëve në Ministri refuzoi qoftë edhe vetëm të kthejë për një moment vëmendjen nga futbolli. Vetëm një kriter nuk plotësohej: Medalja e arit, ajo që prej sezonesh e kanë marrë sportet e lojërave me dorë, apo edhe ato me dorë e duar.
Vigjilenca e munguar koshiente, apo mbase edhe jokoshiente e titullares Kushi, duke lënë jashtë buxhetit sërish futbollin, rikofnrimoi edhe nukleun e ndarjes së lekëve të taksapaguesve sipas parimit ndoshta: Po të kalojmë, kaq, a na kaloni aq…?
Spjegimi jo shumë shterrues I zv.ministrit Hoxha për mungesë aplikimi nga FSHF për përfitim nga këto fonde, rrëzohet me refuzimin e një hambari të madh letrash e aplikimesh një vit më parë, e ku sërish Ministria akordoi zero lekë.
570 ndeshje në një javë të vetme, full kosto e mbuluar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, vlerësohet nga financierët-shtetarë të sportit me mosfinancim absolut.
Shumë Interesante dhe ku vlen të evidentohet edhe indiferenca e titullares në një situatë të tillë me futbollin tërësisht jashtë grilës së financimeve publike për këtë vit. Pozicioni i ministres Kushi (për hir të së vërtetës tejet e predispozuar në angazhimet dhe projektet për futbollin) mbetet lajm aspak I këndshëm. Financohen nga shteti para taksapaguesish për federata që nuk kryejnë aktivitet kombëtar një herë në vit të paktën, në raport me 570 ndeshjet e përçdo javshme të futbollit.
Financohet nga shteti Agjensia Anti-Doping me 50 milionë të vjetra, krejtësisht një institucion amorf jashtë çdo funksioni e ku përherë ka qëndruar taktikisht e qëllimisht indiferent dhe I strukur karshi rasteve me dopping që ka prodhuar e famshmja shtange. Tani del e merr 50 milionë lekë nga thesi që ndahet.
Ca krahasime shifrash buxhetore ndër vite
Në vitin e largët 2002 e basketbolli e volejbolli secila morën nga 22 milionë lekë të reja buxhet grant. Peshëngritja 22.2 mln lekë dhe atletika 15 milionë lekë të reja. Shtuar edhe indeksin e Inflacionit, sot ky buxhet do të ishte 40% më shumë. Në atë vit 2002, totali I grantit ishte 1.7 mld lekë. Në shifrat aktuale, të buxhetit të prezantuar për 2023, janë këtu edhe rrogat e administratave përkatëse. Natyrisht Qeveritë e majta kanë progresuar në buxhet teksa pikun dhe nivelin më fakir sporti në buxhet e ka rregjistruar në periudhën e qeverive Berisha, por kjo është tjetër mesele, kryekëput me vullnetin e lidershipit.
Atletika e Luiza Gegës 102 mln lekë, volejbolli I rekordeve botërore 146 mln
E nëse kalojmë me një vështrim kritik (VK) shifrat e ndarjes së këtij buxheti ka perla me lekë që kalojnë nga federata të hedhjes së shurrës p.sh. me “një peshë bazike” në kompeticionet “botërore”, medalistë dhe kampionë absolutë, tek ato që kanë prodhuar vërtetë kampione. Atletika, vetëm 102 mln lekë. Sipas establishmentit që ndan paratë e sportit në ministri, jashtë vëmendjes së ministers dashamirëse, dhe me shumë shpresë jashtë ndikimit olimpik.
Luiza me trajnerin e saj Taulantin, duan minimalisht 15 milionë (të reja), siç edhe e kanë deklaruar vetë në studio e publikisht për tu përgatitur për një medalje olimpike. Federata në tërësi merr 10.2 mln lekë të reja për tërë vitin. Kemi Luizën e Izmirin aty, por jo vetëm, në një kohë që si për vit përgatitës olimpik, janë federata të tjera në tabelën e publikuar që kërcejnë në shifra shumë më tepër. Luiza kërkon financim për trajnim, për të tentuar një medalje olimpike. Buxheti është ai që tabela pasqyron, e ku natyrisht, shumë më të madh e ka shtanga që shtuar edhe buxhetin e dopingut vete fiks me një shifër bujare për të prodhguar një medalje.
Skite, 7.3 milionë për një kampione bote
7.3 milionë për skitë, se po ta bënin 7.5 rrëzohej buxheti qëndror I shtetit. Po kjo është tjetër gjë. Një kampione bote si Laura Cotturi, një flamur në një podium botëror, është vlerësuar nga grupi I ndarjes së lekëve me vetëm 7.3 mln lekë. Pyeteni Elvisin e skive se çfarë do të bëjë me kaq para! E të tjera e të tjera risi premtuese që prodhon makineria e ndarjes së lekëve të shqiptarëve për sportet. Në një mënyrë, apo tjetër.
Pragmatizmi i Ministrisë për të lënë jashtë një industri të madhe, nuk është vetëm një guxim I madh, por edhe një sfidë karshi ministres Kushi, kryesisht nga zëri I futbollit. Prezenca e saj është realisht e prekshme në çdo event, por qasja për të lënë jashtë një institucion të tillë që prodhon sport në javë sa federatat e tjera bashkë nuk prodhojnë në 10 vjet, kërcet shumë. Ngritja e tre stadiumeve është vullnet kryeministor I premtuar, por përtej kësaj ajo që mungon ka munguar dhe vijon të mungojë është frenimi bazik I ndjekjes së Ligjit për Sponsorizimin, si një proces që ka ngecur aty, dhe që mban me çengel në fyt edhe frymëmarrjen financiare të klubeve të futbollit. Këtë radhë ministrja, me, apo pa dashje, futbollit I dha një të verdhë me përjashtimin nga buxheti I shtetit për sportet. Në anën tjetër, frenimi për Ligjin e Sponsorizimit do të jetë e verdha e dytë.
Lekët janë tanimë në çdo llogari të federatave sportive. 25 të tilla I janë varë buxhetit të shtetit me të katër duart. Në anën tjetër, për FSHF sot është fundjava e radhës e mbi 570 sfidave të tjera e kështu me radhë. Buxheti la një shije krejtësisht nonsens për futbollin, kur dhe e kërkoi prej kohësh atë (vjet Ministria pas aplikimit ia refuzoi), teksa në anën tjetër Ligji për Sponsorizimin për të cilin klubet kanë ulëritur vijon të jetë në bibliotekën e drafteve ministrore, në pritje të rihapjes së… basteve online.