Nga BESNIK DIZDARI*
Mbasi ka përjetuar dramën e Sportklub Tiranës; pra, rënien e saj stinën që shkoi, tash, Kampionati i Shqipërisë sapo ka “njoftuar” shfaqjen së afërmi (premierën) e dramës ShkodërDurrës.
Të dielën që shkoi humbja e thellë e Vllaznisë 1-4 prej Skënderbeut – çka nuk pata fort kohë për ta gjetur në arkiv nëse ka ndodhur ndonjëherë ky rezultat në Shkodër – duket se në të vërtetë është prologu i “premierës” që titulluam.
E, duke qenë se skuadra e Durrësit ndodhet vetëm 2 pikë mbi atë shkodrane, na duhet të pranojmë se të dielën e 4 shkurtit 2018, u dha njoftimi “zyrtar” për nisjen e zhvillimeve të dramës shkodrano-durrsake, ose ndryshe të “premierës” pra, asaj të dramës Shkodër-Durrës.
E vërteta është se gjithë këto vite të rrënimit të Kampionatit të Shqipërisë, dramat e tij kanë qenë disa. Kemi përjetuar dramën e Partizanit e të Dinamos, të cilët së bashku kanë fituar 33 Kampionate të Shqipërisë e 48 vende të dyta e të treta.
Kemi përjetuar dramat e 2 herë Kampiones KS Elbasani e të dy herë Nënkampiones dhe 11 herë të tretës së Shqipërisë, emri i së cilës është Besa e Kavajës.
Dhe të cilat sapo kanë filluar serinë e dytë të tyre me Elbasanin tashmë në Kategorinë e Tretë dhe Kavajën thuajse po drejt të tretës. Pa shkuar te disa drama të tjera, më të vogla.
Ky është “kampionati më i bukur i 20 vjetëve të fundit në Shqipëri”, siç ushtojnë tash e parë ekranet e televizioneve në mbështetje të rrênave. Bukuri pa Tiranë e pa Elbasan, pa Kavajë e Berat, pa Dinamo e Fier.
E pse jo, edhe pa Shkodër a Durrës! Kështu, shkatërrimi i Kampionatit Shqiptar i vetëm 10 skuadrave nuk ndal! Renditja që lindi mbas Javës 18 është e frikshme.
Tre qytete të vogla: Kukës-Laç-Kamzë në përbërjen e skuadrave të të cilave thuajse mungojnë gati krejtësisht lojtarët e formuar prej tyre, pra që nuk i kanë lindur e formuar farishtet e tyre të futbollit, sapo kanë mposhtur gjysmën e Shqipërisë së vërtetë të futbollit.
E tash nis drama Shkodër-Durrës. Vllaznia e Teuta janë kështu, plot 6 e 8 pikë larg skuadrës më të afërt të tyre, që është Luftëtari i Gjirokastrës e plot 11 e 9 pikë larg skuadrës së Kamzës deri dje një fshat i zhvilluar, ndonëse sot megjithatë qytet, madje jo dhe aq i vogël. Kampionati i Shqipërisë sa vjen dhe humbet ndërkaq, njinjishmëninë (identitetin) e tij.
Jo vetëm që përjashton të mëdhenjtë, por me numrin e zvogëluar të pjesëmarrësve të tij më keq se në vitet ’50, nuk lejon assesi që në Kampionat të marrin pjesë së bashku të mëdhenjtë me të vegjlit, qytetet e hershme me qytetet “e tashme” në rritje e sipër.
Çfarë larmie dhe etnografie futbolli që do të kishim, nëse mund të përcaktonim kësisoj! Po për fatkeq, prej 11 skuadrave më rezultative të gati 80 vjetëve të jetës së tij, madje skuadra qytetesh shqiptare të dorës së parë, Kampionati i Shqipërisë ka jashtë tij rreth 40 për qind të tyre.
E, tash për tash, jashtë është edhe “Mbretëresha” Sportklub Tiranë. Ndërkaq, pritet rënia e Shkodrës ose e Durrësit. Bukur vërtet!…
Dhe ky përjashtim sa është “natyral” po aq është edhe “artificial”.
Ky është zvogëlimi “jodashamir” me autorë drejtuesit e futbollit dhe të një Komiteti Ekzekutiv të nënshtruar deri në skaj në gjithë këto vite, ai që ka krijuar vështirësitë e mëdha të mbijetesës, ngatërrimeve, shpërbërjes, frikës së rënies që kanë sjellë pa mëshirë këto drama artificiale të skuadrave të qyteteve të mëdha të Shqipërisë.
Doemos që situata e vështirë ekonomike e klubeve e nxitur prej organizimeve absurde, shkon po aq afër me këto skema krejtë- sisht të papranueshme strukturore.
Që, përveç të tjerave, me qëllim apo pa qëllim, vazhdojnë të pengojnë themelimin e Ligës Profesioniste të Shqipërisë.
Dukuri shkatërruese këto, të cilat me përjashtim të autorit të këtyre radhëve në faqet e kësaj gazete e të nja dy a tre vetëve përreth, nuk i kundërshton askush.
Është e shfrenuar propaganda e këtyre ditëve për zgjedhjen e kreut të FSHF si asnjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë. Propagandë e ngritur në qiell sidomos prej televizioneve – çka flet për varfërinë tematike të përmbajtjes së emisioneve të tyre.
Dhe askush nuk flet për shkatërrimin e Kampionatit Kombëtar duke buçitur me “supergolat” e këtij Kampionati.
Jo dramatik në futbollin e cilësisë së lartë, as në nivelin europian të tij, as në tribunat e mangëta të spektatorëve (tribuna të boshatisura edhe këtë javë), as në spektaklet e munguar “shoqëroro” – futbollistike pra. E jo më të shqetë- sohet dikush për “premierën” e dramës Shkodër – Durrës.
Kur me sa duket, ky do të jetë dhe dueli më “i këndshëm” për Kampionatin – bukuria e të cilët nuk qëndroka në vlerat e vërteta të futbollit, por në luftën për të rënë nga kategoria, pra te përjashtimi i qyteteve tradicionale prej elitës së futbollit të Shqipërisë.
Kjo është “heshtja” e qyteteve parësorë të futbollit në Shqipëri. Një heshtje që u përshkua në gjithë këto ditë të një fushate televizive të pandalshme dhe krejt të panevojshme, ditë në të cilat nuk u tha thuajse asnjë fjalë, madje as prej asaj tufe njerëzish që po sulmon “pa bëza” si hije zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit.
A do të bjerë pra Vllaznia mbas bukur 56 vjetëve? A do të bjerë Teuta e Durrësit mbas 57 vjetëve? “E përse të mos bien? A nuk ka rënë edhe Juventusi në Itali”?
Kjo është retorika e injorancës që rrethon sa “militantët” e futbollit federalist në Shqipëri dhe po aq edhe gazetarinë e folur sportive po në Shqipëri.
Të mjerët këta! E me ta edhe ne që u nënshtrohemi! Duket që nuk kanë kulturën më elementare të kë- tyre punëve dhe “nuk e dinë” se Italia i ka e pakta tri kategoritë (ligat) e saj “super”profesioniste, siç po marr hua “superin” e neveritshëm që gjithnjë e më fort po mbyt fjalësin e shqipes në gazetarinë e folur sportive.
E kisha fjalën për amatorizmin e prapambetur të futbollit në Shqipëri. Ose të mungesës së profesionalizmit përmes ligave të tij, që Shqipëria nuk don t’i formojë.
Atë që gjithë këto ditë thuajse askush nuk e përmendi si parë- sore, edhe prej atyre që duan “ta mbajnë” apo “ta rrëmbejnë” Federatën Shqiptare të Futbollit që assesi nuk u përket atyre.
Është një pasuri që i përket Shqipërisë. Një pasuri e çmuar mbarëkombëtare në të cilën dy kandidatë për kryetarë (presidentë) të saj, si dhe nja njëzet e sa kandidatë për anëtarë të Kryesisë së saj, assesi nuk mund ta “përvetësojnë”, edhe pse një pjesë e mirë e të cilëve të habisin me ambicien e pandalshme të tyre.
Ndërkohë që absolutisht janë sa jashtë futbollit, po aq dhe jashtë lëvizjes sportive kombëtare të Shqipërisë në vështrimin e politikës së vlerave olimpike të sportit që njeh njerëzimi.
Dhe guxojnë! Duket që nuk arrijnë të kuptojnë se të dielën e 4 shkurtit 2018 u dha njoftimi për “premierën” e dramës tjetër rrënuese të futbollit shqiptar, atë Shkodër-Durrës.
*Shkrimi eshte marre nga gazeta “Panorama Sport”