Batutë alla amerikane e trajnerit Skënder Gega kur e pysin për VAR-in pas ndeshjes së Skënderbeut të tij ndaj Teutës: “Jam i kënaqur që është VAR-i, por nuk bëhet me australianë!” Ç‘ne australianët në këtë mes? Apo në Amerikë,atje ku jeton Gega kur nuk është trajner, frymëzohen shumë anektoda ku thumbohen australianët.
Po pse foli amerikançe Gega dhe nuk e tha shqip se çfarë mendonte për “heronjtë e heshtur”, ata që fshihen në barkun e një furgoni. Kur ishte trajner i Partizanit, në majën e klasifikimit, e kuptonim se fliste shkoqur, tani që Skënderi është me Skënderbeun, i bie nga Australia edhe për të damkosur “varistët” e telekomanduar…
Pas deklaratës së trajnerit Skënder Gega, duket sikur e gjithë bota mund ta bëjë punën e VAR-it, vetëm autralianët nuk qënkan të zot për atë punë. Sikur ta dinte bota se “robotit të golave”, siç mund të quhet VAR-i, ne ia hoqëm bullonat qysh në fillim dhe arbitrat kanë dalë tek marifeti i hershëm. Edhe golat, si gështenjat e pjekura, kjo bën, kjo s’bën!
Pyesni Vllazninë, ajo që shpiku futbollin, se a ishte bekim apo mallkim ky lloj VAR-i që po harbohet në xhunglën e topit. Kulmi këtë javë ishte goli 24 karatsh i shkodranëve ndaj Partizanit në ndeshjen e Kupës në mesjavë, porse çunat e VAR-it i gjetën një kleçkë të vogël, që me sy të lirë nuk shquhej, por e shohin vetëm skifterët që bëjnë “radiografinë” e golave.
Dhe tamam si Gega, që i ra nga Australia, edhe trajneri Plori, foli gjatë, ndofta i ra edhe nga Kina, në vend që të thoshte troç se VAR-i do të mbetej pa punë e pa djallëzira po të mos ishte Vllaznia./Marrë nga Sfidanti.al/