Mirsad Jonuz u konsiderua “blerja” më e mirë e merkatos së verës së kaluar për Vllazninë. Eksperienca e tij në drejtimin e ekipeve kombëtare të Maqedonisë, ishte një garanci se të paktën për trajner, nuk do të çalonte puna në Shkodër. Aq më shumë, kur paraardhësi i tij, Ernest Gjoka, me 14 maj 2018, braktisi Vllazninë papritur, pak ditë para se kuqeblutë të provonin për një vit rënien në një kategori më poshtë.

E ka deklaruar edhe vetë, por faktet kanë treguar se në Shkodër Jonuz është vlerësuar e respektuar maksimalisht. Pavarësisht oshilacioneve që edhe këtë sezon nuk i kanë munguar Vllaznisë, në fakt siç edhe shumë skuadrave të tjera, asnjëherë nuk është vënë në dyshim pankina e Jonuz tek kuqeblutë. Madje, që nga janari jo zyrtarisht është përfolur për rinovim, plan që sipas gjasave u prish nga periudha e pandemisë.

Dje është mësuar zyrtarisht se Mirsad Jonuz ka dhënë dorëheqjen. E ka dhënë atë si një “rrufe në qiell të hapur”. Edhe kur Vllaznia përballej me problemin e rrogave të prapambetura, në ekip por edhe publikisht në media, Jonuz si profesionist, ishte amortizator i rëndësishëm i “telasheve”. Kur situata “u vu për fije”, u pagua një rrogë e prapambetur pas miratimit të buxhetit nga Këshilli Bashkiak Shkodër e do të vijonte pagesa e pagave të tjera, Mirsad Jonuz braktisi anijen. Nuk braktisi një anije që paraardhësi i tij Ernest Gjoka e braktisi në prag të mbýtjès. Jonuz e braktisi në prag të daljes në tokë të thatë ose të paktën, mjaft pranë saj.

Mirsad Jonuz nuk mund të bind futbollistët, stafin drejtues të Vllaznisë por edhe tifozët kuqeblu se ka braktisur kuqeblutë për shkak të problemeve. Sepse më i rëndësishmi, ai i pagesave, u vunë rrugën e zgjidhjes. Edhe lidhur me lojtarët e tij, të paktën publikisht, ai nuk është ankuar asnjëherë. Po ashtu, asnjëherë nuk ka hamendësuar apo aluduar se ka ndërhyrje, qoftë në administrimin sportiv të ekipit, qoftë edhe për ndërtimin e formacionit.

Mendojmë se dorëheqja e Jonuz ka ardhur për arsye ngushtësisht personale. Alternativa e parë, mund të jetë ajo financiare. Pra, ka pritur të marrë në dorë, menjëherë, të gjitha rrogat e prapambetura. Edhe pse publikisht e ka përsëritur më shumë se njëherë se vonesa e rrogave nuk është problem për të.

Alternativa e dytë, e cila duhet marrë shumë me rezerva, është ajo e ndonjë “këshillimi” për tu larguar tani që Vllaznia mund të synojë Europën e futbollit dhe që ka ridalë në skenë procesi i privatizimit. Nuk është vështirë të kuptohet se nëse Vllaznia arrin në Europë, siguron jo pak të ardhura dhe natyrisht, i prish planet dikujt/disave që kërkojnë ta marrin në pronësi apo administrim për 5 lekë, nëse përsëri nuk futet në Kupa. Pa u zgjatur në analizë edhe në ndonjë “hundë- futje” për interesa politike…

Mirsad Jonuz ka “hisen” e tij të madhe të meritës për Vllazninë deri më sot. Në qoftë se edhe ai vetë është i bindur se “me këtë grup dhe me trajner të ri, Vllaznia mund të ngjitet edhe më lart”, pa diskutim ish- trajneri ka kreditet e veta. Ashtu siç, nëse Vllaznia nuk lufton deri në minutat e fundit për Europën e futbollit përmes Superligës e Kupës e nuk ia del, përgjegjësi jo të vogël, të paktën morale, do të ketë edhe Mirsad Jonuz.

Kjo ikje e tij kështu nga Vllaznia, do ti lërë gjurmë edhe në karrierën e tij si trajner. Pavarësisht se ligjërisht, kontrata e tij tek Vllaznia ka mbaruar me 31 maj, si profesionist do të duhej të vazhdonte. Të paktën, të ishte në nivelin e futbollistëve që ka trajnuar dhe që janë shprehur “për periudhën e aktivizimit jashtë kohëzgjatjes së kontratës, nuk kemi pretendime për rrogat, sa ta mendojë klubi të arsyeshme”. /Shënim i ShkodraWeb Media/