Një tjetër javë sapo u mbyll në kampionatin shqiptar, por dilemat e Kategorisë Superiore vazhdojnë të mbeten të shumta. Gjithçka është ende e hapur sidomos në gjysmën e parë të klasifikimit të përgjithshëm, ku gjërat janë vërtet shumë të paqarta.

Mbi të gjitha është çështja e titullit, ku tri skuadrat e para Vllaznia, Partizani dhe Teuta ndahen nga thjesht një pikë, sidoqoftë pranë është edhe ekipi i Laçit, ndërsa Tirana pavarësisht triumfit mbresëlënës brenda në stadiumin “Niko Dovana” ndaj Teutës vetëm sa ka ndërlikuar akoma më shumë situatën, në pjesën e sipërme të tabelës.

Kampionët në fuqi gjenden të distancuar plot 7 pikë nga dyshja e kreut Vllaznia – Partizani dhe deri në përfundimin e këtij edicioni mbeten vetëm 7 javë, kështu që misioni i bardhebluve për të mbrojtur titullin në futbollin shqiptar mbetet pothuajse i pamundur, duke patur parasysh që skuadra e drejtuar nga trajneri Orges Shehi ka jo pak por plot katër skuadra përpara vetes në tabelën e renditjes.

Me një kombinim të veçantë, natyrisht duke i llogaritur të gjitha rezultatet në favor të Tiranës bardheblutë mund edhe t’ia dalin, por tani është e qartë se që të ndodhë kjo gjithë ekipet që pozicionohen sipër në klasifikim duhet të vihen në garë ndërmjet tyre se kush e kush të gabojë më tepër.

Prej kohësh ky edicion i Kategorisë Superiore i ka ndarë më dysh ekipet dhe kjo gjë ka ndërlikuar ndjeshëm edhe llogaritë për sa i përket Kupave të Evropës. Sezonin e ardhshëm në Kupat e Evropës do të nisë rrugëtimin një aktivitet i ri, UEFA Europa Conference League dhe me fillimin e këtij kompeticioni do të ndryshojë ndjeshëm edhe destinacioni i ardhshëm i klubeve shqiptare.

Duke i hedhur një sy renditjes së vendeve për nga koeficienti në kompeticionet evropiane për momentin Kategoria Superiore ka vetëm 14 kampionate të tjera evropiane poshtë vetes, duke u pozicionuar në vendin e 41 në klasifikimin e përgjithshëm.

Sipas ndryshimeve të përcaktuara dhe strukturës së re kampionati shqiptar nuk do të dërgojë më asnjë skuadër në mënyrë të drejtpërdrejtë për në Europa League, kështu që ekipet që do të renditen në vendin e dytë dhe të tretë, si dhe klubi fitues i Kupës së Shqipërisë do të nisin aventurën e tyre për sa i përket sezonit të ardhshëm nga Liga e Konferencës.

Ekipi kampion do të fillojë gjithçka nga turi i parë kualifikues në Champions League, ndërsa tre klubet që do të luajnë në Ligën e Konferencës do ta nisin rrugëtimin e tyre gjithashtu nga raundi i parë eliminator.

Beteja për titullin është ashpërsuar ndjeshëm dhe me sa kuptohet llogaritë me shumë gjasa do të mbeten të hapura deri në javën përmbyllëse të 26 majit, ndërkaq siç dihet të drejtën për të luajtur në finalen e madhe të edicionit të 69 të Kupës së Shqipërisë në Stadiumin “Air Albania” e kanë fituar Vllaznia me Skënderbeun.

Në mënyrë të kuptueshme klubi korçar do të lirojë një vend për skuadrat e tjera shqiptare në Ligën e Konferencës, duke marrë në konsideratë ndëshkimin e gjatë që vazhdojnë të vuajnë bardhekuqtë në Kupat e Evropës. 7 javë janë vërtet shumë, por duke patur parasysh që këto 7 javë do të luhen në harkun e vetëm një muaji atëherë llogaritë ndërlikohen akoma më tepër, pasi niveli i ekipeve në aspektin fizik në gjysmën e sipërme të Kategorisë Superiore është i përafërt dhe nuk ka diferenca të mëdha.

Ngjeshja e kalendarit do të nxjerrë në pah pikërisht këtë, kështu që në fund në mënyrë të kuptueshme do të bëjnë mirë ato skuadra që përveç përgatitjes fizike kanë gjithashtu edhe mundësi të shumta zgjedhjeje në stol. Një ide më e qartë ndoshta do të krijohet që mesjavën e ardhshme, kur është programuar të mbahet java e 30 e këtij edicioni të kampionatit shqiptar.

Bie në sy ecuria e mirë e “demave të kuq” dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja ka përfituar në maksimum nga kalendari për të rreshtuar 3 fitore radhazi, ndërkohë përjashtim nuk bën aspak as klubi i Vllaznisë, që ka fituar besim dhe qëndrueshmëri në rezultate, që nga humbja me Bylisin në Stadiumin Loro Borici, kur drejtuesit vendosën për të rikthyer menjëherë në stol trajnerin Thomas Brdaric.

Teuta dhe Tirana numërojnë nga 10 dhe 11 pikë respektivisht në 5 javët e tyre të fundit, ndërsa bardhezinjtë e Laçit kanë humbur ndjeshëm terren, duke grumbulluar thjesht 5 pikë në 5 sfidat e fundit në kampionat. Tani kalendari në mënyrë kurioze ka ndarë 6 skuadrat e shkallëve të sipërme të klasifikimit me ndeshjet ndërmjet tyre dhe beteja për titullin dhe Zonën Evropiane do të vazhdojë të mbetet e ashpër me sfidat tepër interesante Laçi – Partizani, Kukësi – Teuta dhe Tirana – Vllaznia.