33 këshilltarë të majtë, të PS- së dhe PSD- së, në ditën e fillimit zyrtar të fushatës elektorale në Shqipëri, kanë hedhur një hap të madh drejt përjashtimit të Vllaznisë nga pjesëmarrja në Kupat e Europës. Tifozët nuk kanë nevojë të presin përfundimin e Supërligës dhe as ndeshjet e mbetura të Kupës: Vllaznia është me një këmbë jashtë Europës së futbollit për shkak të një vendimmarrje të Këshillit Bashkiak të Shkodrës.

Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme të zhvilluar online, një nga pikat e propozuara për shqyrtim dhe miratim, ishte alokimi i një fondi rreth 82 milion lekë për të paguar detyrimet e prapambetrura të KF Vllaznia sh.a., sigurime shoqërore dhe detyrime tatimore. Paratë ishin të garantuara nga vetë Bashkia dhe pritej vetëm miratimi i Këshillit Bashkiak. 33 këshilltarë, në unison, vendosën që kjo pikë të mos futej fare në rendin e ditës dhe jo më të diskutohej e miratohej.

Gjithmonë, në nivele politike të diskutimit siç është edhe një mbledhje e këshillit bashkiak, ka argumente kundër e pro. Por këtë herë, nuk kishte nevojë për shumë diskutime apo tërheqje mendimesh. Prej javësh tashmë diskutohet në Shkodër, në të gjitha nivelet, për gjetjen e një mënyre për të paguar një pjesë të borxheve të akumuluara në vite, më pas, nënshkrimin e një akt- marrëveshje me Tatimet Shkodër që i hapte autostradën e licensimit për pjesëmarrje në Kupat e Europës Vllaznisë.

Asnjë nga 33 këshilltarët nuk mund të thotë se nuk e dinte këtë fakt. Përveç rastit nëse nuk jetojnë në Shkodër, nuk hapin kurrë radio e tv apo nuk lundrojnë kurrë në rrjete sociale. Është fakt i njohur se shumë tifozë menduan që të bëhen iniciatorë të mbledhjes që një fondi 32 milion për të paguar detyrimet që Vllaznia e tyre, Vllaznia e jonë, të vazhdonte garën e qetë dhe më e sigurtë drejt rikthimit në Europën e futbollit.

Fatmirësisht, paratë u siguruan nga vetë Bashkia. Këshilli Bashkiak, kishte detyrimin moral të pçaktën, të ndiqte pas vullnetin e tifozëve shkodranë, edhe pse në fakt, zanafilla e 30 qershorit 2019 nga ku buron edhe ky institucion, lë hije dyshimi nëse kjo trupë përfaqëson realisht Shkodrën e shkodranët. Lufta politike dhe përfitime të mundshme në ditën e nisjes së fushatës elektorale, askush nuk do të duhej të imagjinonte në kurriz të Vllaznisë.

Çfarë dokumentesh dhe transparence nevojitej për këtë çeshtje? Nëse kërkohej kjo, pse nuk u fut në diskutim dhe më pas, të merrej vendimi i mundshëm pro apo kundër alokimit të 82 milionëve? Kujt i intereson që Vllaznia të pengohet në rrugën drejt Kupave të Europës? Çfarë interesi ka të shpërqendrohet vëmendja e opinionit publik dhe mediave, duke diskutuar pa lidhje këtë ditë, lidhur me procesin e privatizimit, krejtësisht i palidhur me pagesën e borxheve dhe licensimin e klubit për në Europë?

Sepse bëhej fjalë për pagesa fikse të sigurimeve shoqërore dhe detyrimeve tatimore, lehtësisht të gjurmueshme dhe të kontrollueshme nga instanca të qeverisjes qendrore, në një “ngjyrë” tjetër me qeverisjen vendore? Ku e gjejnë guximin 33 këshilltarë të fundosin ëndrrën e një qyteti të tërë, të mijëra tifozëve në të katër anët e Shqipërisë e përtej saj dhe një moment fantastik të saj, në krye të Superligës dhe në katër skuadrat më të mira të Kupës së Shqipërisë?

Të gjitha këto pyetje e kanë një përgjigje dhe tashmë tifozët e Vllaznisë e dinë. Sepse sot është 25 mars dhe pas 30 ditëve, Shqipëria do të ketë marrë një vendim për katër vitet e ardhshme. Por deri atëherë, do të jetë vonë, shumë vonë. Për Vllazninë dhe tifozët e saj! Iniciatore e mosshqyrtimit të vendimit për alokimin e 82 milionëve për KV Fllaznia sh.a., ishte një kandidate për deputete me 25 prill, njëkohësisht edhe këshilltare bashkiake.

Edhe pse “shpresa vdes e fundit”, pas vendimit të sotëm të Këshillit Bashkiak të Shkodrës shanset që Vllazninë tonë ta shohim në Kupat e Europës, janë minimale! Tani ka pak rëndësi vendi i parë, i dytë, apo i tretë në Superligë; ka pak rëndësi dalja në finale apo marrja e Kupës së Shqipërisë! Vllazninë po e pengon në rrugëtimin drejt Europës jo “aleancat”, “lojrat e arbitrave” apo edhe “heshtja e FSHF-së”. Po e pengon vetë “pronari” i aksioneve, Këshilli Bashkiak i Shkodrës! /Shënim i ShkodraWeb Media/