Tirana ka vijuar me përgatitjet intensive edhe këtë fundjavë, në kuadër të fazës përgatitore që është duke zhvilluar në Pogradec.

Ndryshe ka nisur seanca stërvitore e së shtunës për bardheblutë, në raport me ditët e tjera. Shehi ka udhëzuar lojtarët, përveç portierëve, që të ulen në pankinën e stadiumit dhe me një tabelë formacioni ka analizuar miqësoren që Tirana luajti javë më parë kundër Egnatias.

“LEKSIONET” – Kur po analizonte skemën e ndeshjes me Egnatian, trajneri fillimisht udhëzoi Ismajlgecin, Xhixhën dhe Beshirajn se si duhet të veprojnë për të dalë në sulm nga e majta. Herë pas here, ai bënte pyetje për Çelhakën, Xhixhën dhe Tolin se si duhet të vepronin me situatat që mund të përballeshin gjatë ndeshjeve të ardhshme.

Këtë të shtunë, me grupin në Pogradec u bashkua dhe Majkëll Ngo. Rikthimi i tij te Tirana konsiderohet si një nga transferimet më të bujshme të kësaj merkatoje vere.

Toli shihej tek bënte përkthyesin e Ngosë në anglisht kur Shehi po analizonte skemën dhe veprimet e lojtarëve në miqësoren e luajtur ndaj Egnatias. Pasi përfundoi leksionet dhe shpjegimin e skemave Shehi iu drejtua lojtarëve: “Hajde, tani në fushë t’i praktikojmë këto që thashë se kemi boll kohë sot”.

PRAKTIKA – Si fillim skuadra zhvilloi vetëm me dy vrapime rreth fushës, e më pas disa ushtrime atletike dhe streçing. Vetëm pak xhonglime dhe mbajtje e topit në ajër dhe më pas Shehi filloi të punojë me vendosjen e lojtarëve në fushë. Ai dukej i fiksuar pas skemës pasi nuk ndalej së foluri dhe së udhëzuari pothuajse gjysmën e ekipit.

“Më kuptoni? – shprehej ai! – Dua të luajmë 4-2-3-1”. “O Hoxhe më kupton?”, vazhdoi përsëri trajneri duke kërkuar konfirmimin nga Hoxhallari. Shehi ndau lojtarët në dy grupe dhe organizoi një ndeshje kontrolli në gjysmë fushë njëkohësisht me ndalime të shumta dhe udhëzime.

Më shumë mund të quhej një mësimore kjo ndeshje e jo vlerësim i gjendjes së lojtarëve. Shpesh shkonte në krahun e majtë te sulmuesi Xhixha dhe i fliste pa pushim si të veprojë kur ekipi luan majtas. Në fund seanca u mbyll me disa goditje nga këndi dhe penallti.