Partizani është mposhtur në mënyrë surprizuese në sfidën e parë kundër Iberias. Ndeshja e vlefshme për fazën e dytë kualifikuese të Conference League, është mbyllur me rezultatin 2-0 në favor të gjeorgjianëve.

Pas ndeshjes foli trajneri Orges Shehi. Ky i fundit nuk i kurseu kritikat për gjykimin, ndërsa kujtojmë se Partizani luajti me 1 lojtar më pak në pjesën e dytë për shkak se Rrapaj doli me të kuq. Po ashtu dhe goli i dytë nga Iberia lë hije dyshimi për pozicion jashtëloje.

O.Shehi: “Jemi ndëshkuar nga një 11 metërsh pas një topi të humbur nga ana jonë dhe në tranzicion kundërshtari na kapi një moment që mund ta shmangnim. Nga minuta e 50 mbetëm nē inferioritet numerik pas kartonit tē kuq të Rrapaj dhe patjetër që menduam të ndryshonin mënyrën se si do të vendosemi për tu rinisur. Kur je me një lojtar më pak do të kërkosh të kapësh kundërshtarin në kundërsulm. Kishim shanset tona dhe nuk i shfrytëzuam. Shpresojmë që në ndeshjen e kthimit shanset që do të kemi ti shfrytëzojmë edhe pse e dimë që do të jetë krejt tjetër ndeshje.

Mendoj që disa episode mund të ishin trajtuar ndryshe nga gjyqtari sepse kishte disa momente siç na ndëshkonte ne me kartonë gjyqtari mund të ndëshkonte edhe kundërshtarin. Mund të kishte edhe lojtarë të Iberias që mund të ndëshkoheshin me dy kartonë të verdhë.
Në ndeshjen e kthimit e dimë që do të kemi mbështetjen e madhe të tifozëve tanë dhe do të jetë një atmosferë shumë ndryshe nga kjo në Tbilisi”.