Ka përfunduar me rrjeta të paprekura kryendeshja e javës së 30 të “Abissnet Superiores”. Nuk ka pasur gola të shënuar mes Partizanit dhe Vllaznisë, pavarësisht tentativave përgjatë 90 minutave. Të dyja skuadrat ruajnë pozicionet e tyre në tabelën e renditjes, duke shtuar nga një pikë në totalin e pikëve të grumbulluara deri më tani.

Vllaznia i afrohet pak më tepër Egnatias së vendit të parë, të cilën tani e sheh vetëm 3 pikë larg. Megjithatë, rrogozhinasit kanë një ndeshje më tepër për të zhvilluar ditën e nesërme. Më poshtë ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

“Ishte një ndeshje kampionati, për ne kishte rëndësi mos humbisnim. Pjesa e parë ishte e mirë, krijuam raste, por nuk shënuam. Për ne ishte me shumë rëndësi që mos e humbisnim këtë ndeshje.

Në pjesën e dytë këshillat ishin të njëjta si në pjesën e parë, të vazhdonim me të njëjtin rritëm dhe mos lejonim kundërshtarin të na vinte afër portës. Nuk patëm pasimin e fundit. Krijuam rastin me Çobën. Na mungonin lëvizjet ku sulmohen hapësirat, veçanërisht prej mesfushorëve.

Vendi i parë dhe vendi i dytë ka përparësi në “Final 4”, luajtëm ndaj ekipit konkurrent dhe kjo ishte arsyeja pse ishim më të kujdesshëm.

Smajli nuk ishte 100% i gatshëm, nuk donim të rrezikonim në këtë ndeshje. Ka edhe 6 ndeshje, mund të ndodhë gjithçka. Duhet t’i luajmë këto 6 sfida, janë 18 pikë në lojë dhe nuk është koha të mendojmë a do të jemi kampion a jo. Nëse luajmë në “Final 4”, sigurisht që hapet dera për kampion dhe ne do ta synojmë”, u shpreh Qatim Osmani.