Tre nga katër futbollistët më të penalizuar të Vllaznisë në vendimin e së martës, pikërisht Tefik Osmani, Vilfor Hysa dhe Halim Begaj, kanë munguar në stërvitjen e sotme të ekipit shkodran. Arsyeja nuk bëhet e ditur por nga sa merret vesh, dy prej tyre, pikërisht Osmani dhe Hysa kanë qenë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit për t’u ankuar për gjobat dhe pezullimin e marrë nga ana e klubit. Me kopjet e kontratës në dorë, ata kanë filluar të kërkojnë të drejtat e tyre, me justifikimin se një penalizim i tillë nuk është i parashikuar në kontratë. Tek Vllaznia thonë ndryshe.

Edhe vendimi i bërë publik, i referohet rregullores së klubit dhe po ashtu edhe kontratave individuale të sportistëve. Përpos kësaj, mungesa e djeshme në stërvitje e këtyre tre futbollistëve mund t’u kushtojë edhe më rëndë atyre sepse mund të merret ndonjë tjetër masë për braktisje të stërvitjes. E sigurtë duket se kjo çështje do zgjasë jo pak. Tashmë më shumë në zyrat e FSHF-së dhe vetëm Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve pranë saj mund t’i japë rrugë. Këta tre futbollistë duket se e kanë mbyllur karrierën tek Vllaznia. “Kartonin e verdhë” e kanë marrë. Tashmë pritet të shohim nëse do të ketë edhe të kuq për ta apo “karton të kuq” apo zbutje dënimi.
www.shkodrasport.com