Çdo ndeshje e mbetur është një finale më vete për Vllazninë, që me fitoren ndaj Laçit ka krijuar një distancë prej dy pikësh me Teutën rivale.
Finalja e radhës është transferta me Flamurtarin dhe për të realizuar objektivin, skuadrës shkodrane i duhen patjetër pikë edhe jashtë “Loro Boriçit”.
Në Vlorë nuk është aspak e lehtë, sepse Flamurtari ka ende mundësi për Europën, por Vllaznia duhet me çdo kusht të shmangë humbjen.
Trajneri Ernest Gjoka e ka grupin të plotë për këtë ndeshje, ku në formacion do të rikthehet edhe Orelesi.
Nigeriani nuk luajti me Laçin, sepse rrezikonte skualifikimin për ndeshjen me Flamurtarin, nëse ndëshkohej me karton të verdhë.
Një zgjedhje e guximshme në fakt nga stafi teknik i ekipit shkodran, duke pasur parasysh rëndësinë e ndeshjes me Laçin, ku fitorja ishte e domosdoshme.
Vllaznia është mundur në Vlorë fazën e dytë, por ka fituar 3-0 në fazën e tretë me vlonjatët, të cilëve duket se ua di pikat e dobëta dhe të shtunën do të bëjë gjithçka për një rezultat pozitiv, në mënyrë që të konsolidojë pozitat, duke iu larguar sa më shumë zonës së ftohtë.
Shkodranët i kanë mundësitë të kalojnë edhe Kamzën në renditje, pasi e kanë vetëm 2 pikë larg. Me këtë kundërshtar kanë një ndeshje direkte në Shkodër, por tani duhet kaluar me sukses Flamurtari. /Vipsport/