Futbolli në kohë pandemie sjell situata të padëgjuara më parë. E fundit është ajo në kombëtaren e Islandës, e cila do të zbresë mbrëmjen e sotme në fushë për ndeshjen kundër Belgjikës për Ligën e Kombeve pa trajnerin Erik Hamren dhe të gjithë stafin e tij teknik.
Shkak është bërë një rast pozitiv me Covid-19, që ka detyruar teknikun dhe ndihmësit e tij të futen në karantinë.
Ndërkohë, të gjithë futbollistët kanë rezultuar negativë pas testit me tamponë dhe do të luajnë normalisht sfidën e rëndësishme.
Federata Islandeze e Futbollit bën të ditur se skuadra do të drejtohet nga trajneri i kombëtares U-21, ndërsa në stafin e tij do të bëjnë pjesë teknikë të skuadrave të tjera të moshave.