Kukësi do të luajë nesër në “Loro Boriçi”. Përballja e parë zyrtare për kampionët e vendit në fuqi për vitin 2018 do të luhet ndaj ish-trajnerit të tyre, Ernest Gjoka, që tashmë drejton Vllazninë. Në tempullin e futbollit shkodran do të debutojë edhe austriaku Peter Pacult, i cili nga fillimi i këtij viti ka në duar “timonin” e verilindorëve. Para transfertës shkodrane, trajneri i Kukësit ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka nënvizuar:

“Gjatë këtyre tri javëve që unë drejtoj Kukësin, mendoj se jemi përgatitur shumë mirë. I jemi nënshtruar një minifaze përgatitore në Turqi, ku kemi zhvilluar edhe tri ndeshje të mira miqësore, të cilat më kanë dhënë mundësinë për të njohur më mirë lojtarët. Tani po rifillon kampionati dhe ndeshjet zyrtare janë krejtësisht ndryshe. Sidoqoftë, Kukësi është i përgatitur për ta rinisur mbarë kampionatin. Jemi munduar të studiojmë edhe Vllazninë, për të mos lënë gjë në dorë të rastësisë. Natyrisht, me lojën tonë do të mundohemi ta befasojmë kundërshtarin.

Si bëhet kjo? Nuk ka ndonjë sekret të madh, mjafton të jemi të përqendruar maksimalisht nga fillimi i lojës e deri në fund. Po bëmë atë që kemi treguar në miqësore, jam i sigurtë se do ta kalojmë me sukses këtë ndeshje. Unë jam trajner, që dua të fitoj sa herë luaj. Nuk më pëlqen që skuadra ime të mundet. Lojtarët që stërvis e dinë tashmë si jam unë dhe çfarë kërkoj prej tyre. Tani pres ta tregojnë veten në fushë.

Dua që nesër të bëjmë atë që kërkoj unë. Kam tri javë këtu dhe besoj se skuadra do të realizojë ato që kërkoj. Merkatoja? Jemi duke kërkuar edhe një sulmues. Kemi disa opsione, shpresojmë ta gjejmë të duhurin. Vllazninë e drejton ish-trajneri kampion me Kukësin? Nuk jam këtu që të flas për trajnerët. Ne po përgatitemi për ndeshjen ndaj Vllaznisë. Shpresoj ta kalojmë me sukses këtë sfidë të parë zyrtare për vitin 2018 dhe të vijojmë me rezultate positive, që të ngjisim shkallët në renditje”.