Me ardhjen e janarit nis merkatoja e futbollistëve. Klubet shqiptare kanë piketuar përforcimet e reja, por ndërkohë kanë nisur edhe largimet e para. Partizani ka qenë më aktivi, Egnatia synon goditje të mëdha, ndërsa Dinamo e Tirana më parë duhet të shlyejnë detyrimet e prapambetura.
Pushimet e dimrit kanë nisur për futbollistët shqiptarë dhe tani në lojë kanë dalë presidentët e klubeve. Janari është në prag e bashkë me të edhe hapja e tregut të transferimeve. Të gjitha skuadrat e kampionatit kanë piketuar lojtarët për përforcimet e nevojshme, por ndërkohë kanë nisur edhe largimet. Klubi i Tiranës ka bërë të ditur ndërprerjen e bashkëpunimit me mbrojtësin bullgar Arhan Isuf në mënyrë konsensuale.
Largime do të ketë edhe nga Partizani. Rrapaj, Hadroj dhe Cara kanë luajtur për herë të fundit me të kuqtë para transferimit në kampionatin ukrainas. Por ndërkohë, mund të largohet edhe Kristian Mba, i cili ka oferta nga Sllovenia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Për sa u përket afrimeve, Partizani ka arritur marrëveshjen me mbrojtësin e djathtë nigerian Ismaila Sodiq, 21 vjeç, dhe me bjellorisin Dmitri Podstrelov, 26 vjeç, sulmues krahu, i cili vjen nga Dinamo Minsk. Egnatia pritet të bëjë goditje të bujshme në merkato, pasi me kampionët mund të bashkohet portieri Etrit Berisha, i cili është i lirë pas mbylljes së bashkëpunimit me Empolin.
Gjithashtu pritet i brazilianit Fernando Medeiros, që ka mbyllur bashkëpunimin me Sunqajit i Azerbajxhanit. Nga i njëjti vend pritet të vijë Redon Xhixha, që luan me Karabakun.
Dinamo kryesuese ka marrë premtimin e presidentit Ardian Bardhi për ndërhyrje në merkato, por më parë, ashtu si dhe Tirana, duhet të shlyejnë detyrimet që iu kanë ish-lojtarëve, ndryshe për ta merkatoja do të jetë e mbyllur.