Miqësorja e sotme në mes Vllaznisë dhe Teutës luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” ka ngjallur interes të madh sidomos në Shkodër sepse tifozët kuqeblu dëshironin të shihnin ndryshimet e pësuara nga skuadra e tyre.

Duke qenë një përballje interesante në mes dy ekipeve të Superligës, organizatorët e saj kishin përzgjedhur një arbitër të FIFA-s për ta drejtuar, pikërisht lezhjanin Eldorian Hamiti.

Ai ka patur asistencën e dy shkodranëve Melis Dervishi dhe Jetmir Podgorica. Por në fakt, kjo zgjedhje e bërë është kritikuar jo pak nga ish- arbitra të njohur shkodranë.

Sipas tyre, një veprim i tillë duke marrë një arbitër nga Lezha (duke mos u ndalë tek fakti që kemi të bëjmë me një arbitër të FIFA-s) dhe anashkalohen shkodranët, është treguesi më i mirë i nëpërkëmbjes që u bëhet atyre edhe nga vetë shkodranët që kanë organizuar këtë miqësore.

Në fakt kohët e fundit në Shkodër ka shumë pakënaqësi me faktin që nga Federata arbitrat e kolegjiumit të tyre nuk po preferohen më duke i lënë disi mbas dore dhe tashmë kjo po shoqërohet edhe me mospëlqimin për t’i patur edhe në ndeshjet miqësore që zhvillohen në këtë qytet.

Dhe në fakt, Shkodra ka arbitra të mirë kryesorë si Ditmar Jubica, Indrit Myrtja, Bekris Dragusha etj, të cilët mund të ishin sot në fushë për të drejtuar miqësoren Vllaznia- Teuta./shkodrasport.com/