Në pritje të afrimeve në merkaton e ja narit, Milani mund të shijojë blerjen e parë. Të dielën zbarkoi në Milano Lukas Paketa, i riu i talentuar brazilian, i cili konsiderohet si e ardhmja e futbollit brazilian.
Pasi ndoqi nga afër ndeshjen e “Djallit” me Torinon, futbollisti 21-vjeçar ka kryer vizitat mjekësore ditën e hënë dhe një sërë testesh atletike.
Entuziazëm e dëshirë- Lukas, shkruan “Gazzetta Dello Sport”, është entuziast për aventurën e re, por edhe i vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe dëshirën për të mësuar sa më shpejt. Në bisedimet me stafin kuqezi, për shembull, kërkonte që të fliste në italisht. Në ditën e parë si kuqezi ai ka njohur disa prej shokëve të rinj të skuadrës si Reina, Muzakio, Bakajoko dhe Kastijeho dhe është prezantuar me trajnerin Gatuzo, nga i cili mori edhe urimin e parë.
Çfarë surprize- Stafi mjekësor i Milanit është surprizuar nga disa prej testeve të bëra nga Paketa. Ata mbetën të kënaqur nga fakti që djaloshi është i stërvitur mirë, por edhe që iu përgjigj në mënyrën e duhur disa testeve fizike. Ish-lojtari i Flamengos u tregua rezistent, reaktiv dhe shpërthyes. Të gjitha cilësi që mund ta bëjnë të vlefshëm në një futboll të vështirë si ai i Serisë A.
Alternativa- Lukas Paketa është një lojtar polivalent, i cili mund t’i japë shumë mundësi formacionit kuqezi për të arritur në Ligën e Kampioneve. I ardhur nga kampionati brazilian, do t’i duhet pak kohë që të kuptojë sesi funksionon në Itali. Por, ai i ka të dhënat e mira dhe mund të aktivizohet në disa pozicione në repartin e avancuar. Roli i tij natyral është sulmues i dytë ose fantazist, por mund të luajë edhe në krah.