Kukësi vjen pas një humbjeje dhe duhet të bëjë patjetër kthesën në ndeshjen e nesërme me Vllazninë, që luhet në stadiumin “Zeqir Ymeri”.
Trajneri Peter Pakult, ka dalë, si zakonisht, në konferencën për shtyp dhe ka folur pikërisht për këtë ndeshje.
Ai ka theksuar mes të tjerash se do të ketë ndryshime në formacionin e Kukësit, ndërkohë që ka prekur edhe temën e sulmuesit Guri, i cili nuk u grumbullua me Kombëtaren:
“Luftëtari? Në fakt erdhi humbja në një moment të mirë për ne. Luftëtari kishte 11 ndeshje pa humbje para Partizanit, por nuk duhet anashkaluar fakti që bëmë një ndeshje të dobët dhe shpresoj të ndryshojmë nesër.
Mund të bëjmë më mirë dhe këtë e dimë të gjithë. Jam i bindur se nesër do të jemi me një fytyrë tjetër.
Guri në Kombëtare
Sa i përket zgjedhjes së trajnerit Panuçi nuk më takon shumë të flas, pasi ai ështe trjaner i Kombëtares, por Guri po tregon në ndeshjet e fundit se është sulmuesi më i rrezikshëm.
Shpresoj ta mbajë këtë formë dhe të shohim në të ardhmen, nëse mund të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Mendoj që ka ecuri dhe shpresoj ta mbajë ritmin. Në stërvitje shoh që ka përqendrim maksimal.
Ndeshja me Vllazninë
Kam informacion për vllazninë dhe duket që në merkato ka marrë lojtrë cilësorë, ndaj dhe në ndeshjet e fundit ka treguar një formë të mirë. E di që është ndeshje e vështirë, por do të bëjmë maksimumin.
Vllaznia ka mbrojtje të mirë dhe luan shumë me kundërsulm. Më i shqetësuar jam kur kam takim me presidentin dhe gjërat që flas më dalin të nesërmen në gazetë dhe duhet të shoh se çfarë duhet të bëj për këtë.
Mendoj se nuk duhet të kemi frikë nga kundërshtari. Duhet të kemi vetëm respekt për të.
Gjendja e ekipit
Në fakt, jemi të shqetësuar, pasi kemi 3 lojtarë me nga tre kartonë të verdhë. Nuk më pëlqen fakti që herën e kaluar kemi marrë dy kartonë vetëm për protesta.
Ndeshjen e nesërme duhet të jemi agresivë që nga fillimi dhe s’duhet të marrim kartonë.
Edhe pse lojtarët kanë kartona të verdhë, ata sërish do të luajnë fort dhe duke ditur se fusha është e vogël, duhet të luftojmë fort për të fituar. Do të ketë disa ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjen përballë Luftëtarit.
Si trajner, vëzhgoj dhe kur shoh që diçka nuk shkon, bëj ndryshime, edhe pse në sulm nuk kam shumë alternativa. Duhet të shohim pak në sulm, pasi nuk kemi shumë mundësi”, u shpreh trajneri Pakult. /Vipsport/